Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku foli për zgjerimin e Bashkimit Europian, të ardhmen e brezit të ri, protestat në Shqipëri dhe emigracionin. Rama tha se Shqipëria synon të mbyllë negociatat me BE-në në fund të vitit 2027, nëse gjithçka shkon mirë, por theksoi se procesi varet edhe nga zhvillimet brenda vetë Unionit.
Gjatë bashkëbisedimit në Musée de l’Homme, kryeministri u pyet për protestat në Shqipëri dhe ngjashmëritë e tyre me ato në Itali dhe Francë. Rama tha se projekti i lidhur me Jared Kushner ishte shkaku që nxiti zemërimin e qytetarëve në manifestimet e fillimqershorit.
“Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, në protestat e para morën pjesë shumë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, ndërsa më vonë mbeti një numër i vogël protestuesish që përshkallëzuan në dhunë. Kryeministri tha se këto veprime janë të papranueshme dhe nuk kanë lidhje me protestën fillestare.
Duke folur më tej për tubimet në Tiranë, Rama i cilësoi ato si një situatë komplekse, ku sipas tij ndërthuren shqetësimet për mjedisin, koston e jetesës, partitë e opozitës, ndikimi i Iranit, ANTIFA dhe persona të sjellë nga krimi i organizuar.
“Sfondi i kësaj proteste është mjaft kompleks. Është si një tenxhere ku zien gjithçka”, tha Rama,
Kryeministri u ndal edhe te ndikimi i rrjeteve sociale, duke e përshkruar situatën në Europë si një përplasje mes botës reale dhe mediave sociale, ku të rinjtë marrin informacion, keqinformim dhe ndikohen në mënyrën se si përfshihen në protesta.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama tha se, sipas progresraportit, Komisioni Europian e ka përcaktuar vitin 2027 si periudhën kur duhet të punohet për Traktatin e Anëtarësimit.
“Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t'i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se ecuria e procesit do të varet edhe nga situata politike në Europë, duke përmendur zgjedhjet e ardhshme në Francë.
“Askush nuk e di se ç'lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, tha kryeministri.
Rama foli gjithashtu për emigracionin, duke thënë se nuk e konsideron një prirje në rritje, por pjesë të zhvillimit të vendit dhe të pritshmërive gjithnjë e më të larta të qytetarëve.
Sipas tij, Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, me rritjen e pagave, ekonomisë dhe turizmit. Ai përmendi edhe praninë e Shqipërisë në shtypin francez për plazhet dhe mikpritjen.
Sa i përket demokracisë, Rama tha se ajo është një proces që kërkon përmirësim të vazhdueshëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende si Franca.
“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh ai.
Forumi i Paqes zhvillohet më 10 dhe 11 nëntor në Paris. Këtë vit, në qendër të diskutimeve është qeverisja efektive si një nga kushtet për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Kryeministri Edi Rama tha nga Parisi se Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjetër veç anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shqiptarët janë shumë të veçantë lidhur me integrimin, sepse ndryshe nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor ne kemi një histori ndryshe. Ne nuk ishim pjesë e ish-Jugosllavisë apo e Bllokut Lindor. Ne u ndamë me bllokun Lindor që në 1960-ën, pastaj u lidhëm me Kinën e Maos dhe më pas ishim Koreja e Veriut e Europës. Më pas kur dolëm nga ky ferr, dolën të transformuar në talebanë perëndimorë, ose në fanatikë të perëndimit. Për ne BE nuk është një bankomat, por një hapësirë lirie, paqeje e bashkëpunimi. Pavarësisht konflikteve të brendshme, të gjithë bien dakord që Europa është destinacioni ynë i përbashkët. Ne s’kemi asnjë alternativë tjetër dhe nuk e kërkojmë një të tillë”, tha mes të tjerash Rama.

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit në Forumin e Paqes në Paris, foli për emigracionin, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rama tha se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa për integrimin në BE theksoi se synimi është mbyllja e negociatave në fund të vitit 2027, nëse gjithçka shkon mirë.
Duke folur për emigracionin, kryeministri tha se nuk e sheh si një prirje në rritje, por si pjesë të një rrugëtimi që lidhet me zhvillimin e vendit dhe rritjen e pritshmërive të qytetarëve.
“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta. Nuk jemi vendi i 10 viteve më parë, por jemi krejt ndryshe. Dhjetë vjet më parë nuk do të shfaqeshim në shtypin francez, por sot jemi aty për plazhet, mikpritjen, pra është një vend ndryshe”, tha Rama.
Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama u shpreh se nuk mund të japë premtime për një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t'i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se procesi do të varet edhe nga zhvillimet brenda vetë Bashkimit Europian, duke përmendur zgjedhjet e ardhshme në Francë.
“Kjo do të varet se ku do të jetë BE për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç'lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te demokracia, duke theksuar se përmirësimi i saj është një proces i vazhdueshëm.
“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë. Edhe Franca nuk e ka përfunduar këtë punë. Është një punë që nuk mbaron kurrë”, u shpreh ai.

Duke folur nga Parisi për protestat në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në tubimet që po zhvillohen në kryeqytet, duke nisur nga ndikimi i Iranit, ANTIFA, grupet kriminale, partitë e opozitës, etj.
“Mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është mjaft komplekse. Është si një tenxhere ku zien gjithçka. Nga shqetësimi për mjedisin, gjepura anti-semite të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, si republika Khomeiniste e Iranit, parti të mëdha e të vogla të opozitës që fshihen pas, iluzionet e ANTIFA-s, por edhe njerëz që kanë shqetësimet e tyre për kostot e jetesës e deri te njerëz të sjellë nga krimi i organizuar. Është një gjë tejet komplekse, që nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra. Buxheti i ri përmes masave të mara do e lirojë pak presionin e kostos së jetesës. E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sesa komplekse është, pavarësisht se konteksti është ndryshe”, tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri Edi Rama, gjatë Forumit të Paqes në Paris, foli për protestat e zhvilluara në fillim të qershorit, duke thënë se projekti i lidhur me Jared Kushner ishte ai që nxiti zemërimin e qytetarëve.
I pyetur se çfarë kanë të përbashkët protestat në Shqipëri me ato në Itali dhe Francë, Rama tha se duhet bërë një dallim mes protestave të para, ku morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, dhe atyre që pasuan, të cilat sipas tij u përshkallëzuan në dhunë.
“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s'ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se protestat duhen parë edhe në kontekstin e një situate më të gjerë në Europë, ku sipas tij rrjetet sociale ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë informohen dhe përfshihen në protesta.
“Është një situatë komplekse në mbarë Europën, që do ta përkufizoja si një përplasje mes botës reale dhe medias sociale, ku shumë të rinj marrin informacionin apo keqinformimin, apo të dyja, si dhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, tha Rama.











Komente
Komento