Kryeministri Edi Rama ka folur për zhvillimet ekonomike dhe politike në Shqipëri, emigracionin dhe procesin e integrimit europian, gjatë një bashkëbisedimi në Forumin e Paqes në Paris.

Duke u ndalur te emigracioni, kreu i qeverisë deklaroi se largimi i qytetarëve nuk duhet parë si një tendencë në rritje, por si pjesë e një procesi që lidhet me zhvillimin e vendit dhe ndryshimin e pritshmërive të qytetarëve.

“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke përmendur edhe vëmendjen që vendi ka marrë në mediat franceze për turizmin, plazhet dhe mikpritjen.

“Nuk jemi vendi i 10 viteve më parë, por jemi krejt ndryshe. Dhjetë vjet më parë nuk do të shfaqeshim në shtypin francez, por sot jemi aty për plazhet, mikpritjen, pra është një vend ndryshe”, deklaroi kryeministri.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rama bëri të ditur se objektivi është përmbyllja e negociatave në fund të vitit 2027, por theksoi se nuk mund të japë garanci për një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria.

“Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se ecuria e procesit do të ndikohet edhe nga zhvillimet politike brenda Bashkimit Europian, duke përmendur në veçanti zgjedhjet e ardhshme në Francë.

“Kjo do të varet se ku do të jetë Bashkimi Europian për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, u shpreh ai.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama foli edhe për demokracinë, duke theksuar se përmirësimi i saj është një proces që nuk përfundon kurrë.

“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë. Edhe Franca nuk e ka përfunduar këtë punë. Është një punë që nuk mbaron kurrë”, përfundoi kryeministri.