Vajza kanadeze Stephanie Case është bërë gruaja e parë që përfundon një garë ultramaratonë prej 100 miljesh pa ndalesa në Antarktidë. Ajo e mbylli Antarctic Ice Ultra 2026 me kohën 17 orë, 31 minuta e 39 sekonda. Kështu u rendit e dyta në klasifikimin e përgjithshëm.
Gjithashtu vendosi rekordin e parë për femra në këtë distancë në kontinentin e akullt, raportojnë organizatorët e garës përmes rezultateve të publikuara. Sipas të njëjtave të dhëna, Case ishte e vetmja grua që kaloi vijën e finishit mes tri grave që morën pjesë në këtë sfidë. Nga tetë vrapueset që nisën garën 100 milje, vetëm katër arritën ta përfundonin atë.
Gara u zhvillua në Oazin Schirmacher, në Antarktidën Lindore. Pjesëmësit duhej të përshkonin 38 xhiro të një qarku prej 4.2 kilometrash, përpara se të plotësonin distancën prej 100 miljesh. Sfida u bë edhe më e vështirë nga kushtet ekstreme atmosferike, me erëra të forta dhe temperatura që zbritën deri në minus 35 gradë Celsius.
Për shkak të një stuhie që po afrohej, organizatorët u detyruan ta shtynin nisjen e garës deri në orën 01:00 të mëngjesit të së dielës. Përveç karrierës sportive, Case është avokate ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe themeluese e organizatës Free to Run. Kjo organizatë mbështet gratë dhe vajzat e prekura nga konfliktet përmes programeve të vrapimit dhe zhvillimit të lidershipit. Ajo tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare edhe në vitin 2025, kur fitoi një ultramaratonë 100 kilometra në Uells, vetëm gjashtë muaj pas lindjes.
