Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, një ditë pas ultimatumit të PS ndaj opozitës për Reformën Zgjedhore.

Përmes një deklarate, ambasadorja e BE-së theksoi rëndësinë e realizimit të një reforme cilësore, duke nënvizuar se cilësia e saj është po aq e rëndësishme sa edhe koha brenda së cilës duhet të përmbyllet procesi.

Moreira de Sousa theksoi se reforma zgjedhore lidhet drejtpërdrejt me besimin e publikut, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve.

“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet. Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.

Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete. Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.