Arbitrja shqiptare merr një tjetër vlerësim të madh, Rusta vendos drejtësi në Juventus–Lyon Piero Ausilio, ish-drejtori sportiv i Interit, ka folur për periudhën që po kalon larg futbollit, gjatë një aktiviteti në Social Football Summit, që po zhvillohet në Torino.
Ausilio foli për gjithçka që nga rrethanat që sollën marrjen e vendimit për të lënë kampionët e Italisë e deri tek e ardhmja e tij.
‘Jam shumë mirë. Është pjesë e jetës profesionale. Ishte një periudhë e rëndësishme, e gjatë, e veçantë dhe unike. Por, si çdo histori e bukur, edhe ajo vjen një ditë në përfundim. E rëndësishme është që rrethanat që çuan në këtë vendim u menaxhuan në mënyrën më normale të mundshme. Kishte ardhur momenti dhe mendoj se ishte edhe koha e duhur-tha Ausilio-Për mua kishte rëndësi që kjo periudhë të mbyllej pas një fitoreje të madhe, dhe kështu ndodhi. Gjithmonë e kisha përfytyruar largimin pas fitimit të një titulli kampion dhe Kupës së Italisë, si dhe pas rezultateve të mira ekonomike të arritura gjatë këtyre viteve. I ruaj të gjitha këto në kujtesë. Kam përjetuar emocione të jashtëzakonshme, përfshirë edhe momentet e vështira. Mendoj se Interi fitues i ditëve të sotme është ndërtuar edhe duke kaluar përmes atyre vështirësive, të cilat i mbaj të gjitha me vete.Kam pasur fatin të punoj me familjen Moratti dhe me pronarë të huaj. Të gjithë më kanë dhënë diçka, por mbi të gjitha, ajo që marr me vete janë marrëdhëniet e krijuara ndër vite me trajnerë, futbollistë dhe profesionistët që kam njohur gjatë kësaj periudhe’.
Ausilio foli edhe për arsyet që çuan në përfundimin e bashkëpunimit.
‘Kur një marrëdhënie pune merr fund, mund të ketë disa arsye dhe motivacione. E rëndësishme, siç e thashë edhe më parë, është që kjo të ndodhte në momentin e duhur. Nuk do ta kisha pranuar kurrë largimin një vit më parë, pas përfundimit të kampionatit në vendin e dytë dhe humbjes së finales së Champions League në Mynih. Nuk ishte momenti i duhur-vijoi ish drejtori sportiv i Interit-Gjatë këtyre viteve kanë qenë disa mundësi që mund t’i kisha shqyrtuar, por nuk e kam bërë kurrë. Fillimisht doja ta riktheja Interin në vendin që meritonte. Duhej të vinte momenti i duhur dhe ai erdhi. Do të ketë edhe mundësi të tjera’
Ausilio tregoi edhe nëse komunikon ende me presidentin dhe drejtuesit e tjerë të Interit.
‘Marotta? Nuk më është dhënë më rasti të flas me të, por me siguri ka qenë shumë i angazhuar. Me Dario Baccin takohem rregullisht. Ai ka punuar me mua për 10 vjet-vijoi Ausilio-Marrëdhëniet nuk ndërpriten papritur. Mbaj kontakte dhe takohem me Chivun, ashtu si edhe me shumë të tjerë. Kam kaluar shumë vite aty dhe nuk mund të harrosh brenda natës një periudhë kaq të gjatë të jetës. Marrëdhëniet vazhdojnë, po i ruaj dhe, të paktën nga këndvështrimi im, asgjë nuk mund t’i ndryshojë. Sidomos me Darion takohemi dhe komunikojmë shpesh. Vetë fakti që Interi i ka dhënë vazhdimësi projektit, ndërkohë që dëgjoj të flitet për risi dhe inovacion, duke i besuar drejtimin një personi që ka qenë zëvendësi im për 10 vjet, si dhe fakti që së fundmi ka afruar edhe një person të cilin unë po shqyrtoja ta përfshija në staf, përbëjnë një vlerësim për punën time. Kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e vazhdimësisë’.
Më pas, Ausilio u pyet se çfarë do të kishte ndodhur nëse Fabregas do ta kishte pranuar ofertën e Interit:
‘Chivu e dinte se ishte trajneri që dëshironim dhe ishte në dijeni edhe të takimit që do të zhvillohej. Kjo nuk u bë shumë publike, por unë ndodhesha në Londër për një arsye tjetër, për një futbollist.Kur Fabregas nisi aventurën e tij te Como, në ekipin Primavera, një nga gjërat e para që kërkoi ishte të vizitonte qendrën stërvitore të Interit në Appiano Gentile, për të takuar Inzaghin dhe drejtuesit e klubit, me qëllim që të kuptonte sekretet e suksesit të Interit.Pikërisht aty lindi një marrëdhënie mes nesh, e cila vazhdoi edhe gjatë viteve të Inzaghit, përmes takimeve për dreka apo kafe. Gjithmonë e kam konsideruar një person shumë kureshtar. Edhe në Londër nuk ndodhi asgjë ndryshe. Chivu e dinte se ishte zgjedhur si trajner i Interit-tha Ausilio që më pas foli edhe për të ardhmen e tij duke mos e fshehur dëshirën për një eksperiencë në futbollin anglez.
‘Për momentin nuk kam biseduar me askënd, pastaj janë edhe zërat që qarkullojnë. Dëshira ime është të provoj veten në një kampionat tjetër, të ri për mua, dhe Premier League është një projekt mjaft joshës. Kjo nuk do të thotë se do të shkoj atje që nesër, por është një mundësi që më intereson dhe që do ta shqyrtoja seriozisht nëse do të më paraqitej-tha Ausilio- Çfarë bëj këto ditë? Asgjë… E vërteta është se më parë, me justifikimin se kisha angazhime të përditshme, më vinin kërkesa të ndryshme për të marrë pjesë në aktivitete dhe konferenca, por ia dilja të refuzoja duke thënë se isha i zënë. Tani, praktikisht, do të më duhet të udhëtoj nëpër Europë. Sigurisht, kam shumë gjëra për të bërë dhe për t’i zbuluar nga e para’.
Top Channel