Një ofertë promocionale për sufllaqe me vetëm 1 euro ka përfunduar në përplasje të dhunshme në Dortmund të Gjermanisë.
Sipas mediave vendase, qindra persona u mblodhën para një fast-food-i të sapohapur, por situata doli jashtë kontrollit dhe policia u përball me sulme nga turma.
Ngjarja ndodhi më 8 nëntor, gjatë inaugurimit të një lokali që kishte reklamuar shitjen e sufllaqeve me çmimin simbolik prej 1 euroje. Sipas policisë, rreth 300 persona, mes tyre edhe shumë të mitur, u grumbulluan për të përfituar nga oferta. Pronari pretendoi se numri i të pranishmëve kishte arritur në rreth 1 mijë.
Fillimisht pati rrëmujë dhe shtyrje përpara biznesit, ndërsa turma pengoi edhe qarkullimin rrugor. Pronari kishte angazhuar një kompani sigurie private, por ajo nuk arriti të menaxhonte situatën dhe në fund vetë administratori telefonoi policinë për ndihmë.
Kur efektivët mbërritën dhe u kërkuan të pranishmëve të largoheshin, situata u përshkallëzua.
Sipas autoriteteve gjermane, ndaj policëve u hodhën shishe, gurë, mjete piroteknike, një skuter elektrik dhe madje edhe një karrige.
Pas incidentit, autoritetet urdhëruan mbylljen e përkohshme të lokalit. Policia po analizon pamjet filmike për të identifikuar personat e përfshirë në incidente dhe po shqyrton nëse pronari mund të mbajë përgjegjësi për kostot e ndërhyrjes policore.













