Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e cilësoi të ligjshëm arrestimin e ish-kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve vendore të vitit 2023 nën dyshimet për blerje votash. Në vendimin e saj, të marrë unanimisht të martën e 10 nëntorit, Gjykata e Strasburgut thekson se arrestimi i Belerit ishte i justifikuar dhe nuk kishte shkelje të Konventës Evropiane në lidhje me vendosjen e tij në paraburgim. Megjithatë, Strasburgu i jep të drejtë Fredi Belerit për afatet e qëndrimit të tij në paraburgim, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë shkelur nenin 5 paragrafi 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit “Çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet gjatë procedimit; dhe lirimi mund të kushtëzohet nga një garanci që siguron paraqitjen në gjykim”.