“Isha ministri i parë që dhashë dorëheqjen”, Mediu për Gërdecin: Akuzohem për shpërdorim detyre

10/11/2026 20:16

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka folur për çështjen e Gërdecit dhe procesin gjyqësor ndaj tij në emisionin “Breaking me Jetona Koçibelli”. I pyetur nëse ndien përgjegjësi politike dhe morale për tragjedinë në fjalë, Mediu u shpreh se këtë përgjegjësi e ka shprehur që 18 vite më parë, kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit dhe hoqi dorë nga imuniteti.

Gjatë intervistës, Mediu theksoi se dorëheqja e tij ishte një akt i përgjegjësisë politike dhe morale, në një periudhë që ai e cilësoi si ndër më të rëndësishmet për vendin dhe karrierën e tij politike, për shkak të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

“Përgjegjësinë politike dhe morale e kam shprehur nja 18 vjet përpara. Kam qenë ministri i parë që kam dhënë dorëheqjen, kam lëshuar imunitetin dhe kam lejuar një proces hetimi që nuk më pyeti asnjëherë. Përgjegjësia morale e politikanit është kur jep dorëheqjen nga posti, pavarësisht se ishte në momentin më të rëndësishëm të historisë së vendit, anëtarësimi në NATO, por edhe të karrierës sime politike”, deklaroi Mediu.

I pyetur se çfarë është provuar konkretisht në seancat e fundit në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ish-ministri u përpoq të ndante procesin gjyqësor ndaj tij nga tragjedia e Gërdecit. Sipas Mediut, akuza ndaj tij nuk lidhet drejtpërdrejt me shpërthimin, por me shpërdorimin e detyrës.

“E para, ju thoni Gërdeci, por unë nuk akuzohem për Gërdecin. Akuzohem për shpërdorim detyre, sepse vetë Gjykata dhe Prokuroria kanë thënë se nuk ka lidhje kjo akuzë me shpërthimin në Gërdec. Pra, aktet e ministrit nuk është se kanë sjellë shpërthimin apo nuk kanë të bëjnë me rregullat e funksionimit të Gërdecit”, u shpreh ai.

Mediu pretendoi gjithashtu se vendi i demontimit të municioneve në Gërdec nuk ishte përzgjedhur gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

“Dua të theksoj se Gërdeci si vend demontimi nuk është zgjedhur nga Fatmir Mediu, nuk është zgjedhur në kohën kur unë kam qenë ministër i Mbrojtjes. Demontimi ka nisur në vitin 2003”, deklaroi ish-ministri.

Duke iu përgjigjur pyetjes se kush e kishte kompetencën për të zgjedhur vendin e demontimit, Mediu tha se ministri i Mbrojtjes nuk merret drejtpërdrejt me proceset teknike të demontimit të armatimit dhe municioneve. Ai argumentoi se ministri është autoritet politik dhe civil, ndërsa këshillimi për çështjet ushtarake bëhet nga strukturat më të larta të Forcave të Armatosura.

“Ministri i Mbrojtjes nuk merret me demontimin, nuk merret me armatim municionesh. Ministri i Mbrojtjes është autoritet politik edhe civil i përcaktuar si i tillë në Kushtetutë. Këshilltari më i lartë ushtarak për ministrin, për kryeministrin dhe për presidentin, është shefi i shtabit. Dhe në momentin që vjen një këshillim apo një draft urdhër i përgatitur nga strukturat ushtarake, ministri i Mbrojtjes nuk ka asnjë strukturë tjetër e cila mund ta këshillojë apo mund të ketë njohjen, apo autoritetin më të lartë se sa shefi i shtabit apo strukturat e Shtabit të Përgjithshëm”, deklaroi ai.

Sa i përket procesit gjyqësor dhe kërkesës së familjarëve të viktimave për drejtësi, Mediu tha se sipas tij, gjykimi për tragjedinë e Gërdecit është zhvilluar gjatë viteve 2009-2013 dhe ka përfunduar me dënimin e 24 personave.

“Unë nuk mendoj se procesi ka të bëjë me tragjedinë. Po ju them se ka një proces gjyqësor që është zhvilluar nga viti 2009 deri në 2013 dhe janë dënuar 24 njerëz për atë që ka ndodhur në Gërdec. Procesi gjyqësor karshi meje ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës. Prokuroria në mënyrë krejt abuzive ngre pretendimin se ministri ka ngritur kalibrat dhe pjesa e dytë që do të thosha që u vërtetua gjatë gjithë kësaj kohe por edhe nga zëvendës shefi i shtabit të Përgjithshëm nuk ka asnjë akt që përcakton kalibrat e vegjël dhe të mëdhenj në Ministrinë e Mbrojtjes, e për më tepër kjo nuk është një çështje që lidhet me Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu një akuzë është se ministri ka urdhëruar transportin e municioneve, e përsëri po të isha do të bëja të njëjtën gjë, por nuk ka përcaktuar se kush duhej të paguante transportin, në një kohë që ka akte ligjore e normative në fuqi që tregojnë se si bëhet transporti i municioneve nga forcat e armatosura dhe kush bën përllogaritjet e kostove dhe pagesat e kostove. Nuk është ministri i Mbrojtjes”, tha Mediu.

Top Channel