Seanca e kësaj të marte në Apelin e GJKKO-së ndaj Ruben Saraivës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është shtyrë për më 24 nëntor. Gjatë seancës, mbrojtja kërkoi prishjen e vendimit të dënimit dhe rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Lezhës, me një trupë tjetër gjykuese. Avokati kërkoi gjithashtu rimarrjen e disa provave, mes tyre dëshminë e Valbona Dedës, si dhe konstatimin e papërdorshmërisë së saj, me argumentin se ishte marrë në kundërshtim me procedurat ligjore. Vetë Saraiva mbështeti kërkesat e avokatit, duke pretenduar se gjatë hetimit dhe gjykimit nuk i ishte garantuar transparenca dhe se nuk kishte pasur mundësi të kuptonte plotësisht procedurat, pasi nuk flet shqip. Sipas tij, përgjegjësia për t’i siguruar këto dokumente i takonte prokurorisë dhe gjykatës.