Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohet 39-vjeçari shqiptar në Spanjë


Guardia Civil po heton një tjetër vrasje, që dyshohet se mund të ketë lidhje me një larje hesapesh, të ndodhur në Orihuela Costa. Një person është paraqitur në barin e një kompleksi sportiv dhe argëtimi në Orihuela Costa dhe ka qëlluar për vdekje një shtetas shqiptar 39-vjeçar, i cili ndodhej në tarracën e një lokali. Autori i krimit është larguar me skuter elektrik dhe po kërkohet nga hetuesit e Guardia Civil.

Ngjarja ka ndodhur pak para orës 13:00, në kompleksin Playa Flamenca Sport Club, i cili ofron, ndër të tjera, ambiente për padel, minigolf, bare, restorante dhe një zonë për fëmijë, shkruan Informacion.

Kompleksi sportiv dhe argëtues ndodhet në rrugën Nicolás de Bussi, në zonën e banuar Playa Flamenca, në Orihuela Costa. Viktima, një burrë me origjinë shqiptare, ndodhej aty si klient dhe nuk ka mundur të mbrohej nga një vrasës me pagesë, i cili mbërriti në vendngjarje, e qëlloi për vdekje në tarracën e një bari dhe më pas u largua.

Sipas dëshmitarëve, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një skuter elektrik. Guardia Civil u drejtua drejt zonës së banuar Playa Flamenca pasi u njoftua nga Policia Bashkiake e Orihuela-s.

Përveç efektivëve të Guardia Civil për sigurinë publike, në vendngjarje mbërritën edhe agjentë të Policisë Gjyqësore dhe specialistë të Laboratorit të Kriminalistikës së Guardia Civil, për të kryer këqyrjen përkatëse me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

SAMU konfirmon vdekjen

Një ambulancë e shërbimit të urgjencës mjekësore SAMU mbërriti gjithashtu në vendngjarje, por ekipi mjekësor nuk arriti ta shpëtonte burrin e qëlluar me armë zjarri dhe mundi vetëm të konfirmonte vdekjen e tij, sipas burimeve nga Qendra e Informacionit dhe Koordinimit të Urgjencave (CICU).

Trupi i viktimës mbeti i shtrirë pranë tarracës së një bari në kompleks. Komisioni gjyqësor u njoftua për të kryer procedurën e heqjes së trupit dhe transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Alicante, ku këtë të mërkurë do të kryhet autopsia.