Nxënësve në Angli do t’u ndalohet të mbajnë telefonat celularë me vete gjatë gjithë ditës shkollore, duke nisur nga shtatori i vitit 2027. Masa e re vjen në kuadër të udhëzimeve më të rrepta të qeverisë britanike për kufizimin e përdorimit të telefonave në institucionet arsimore.

Rregullat e reja do të shkojnë përtej politikës aktuale “nuk shihet, nuk dëgjohet”, e cila u lejon nxënësve t’i mbajnë telefonat në çantë, për sa kohë që pajisjet nuk përdoren dhe nuk krijojnë shqetësime gjatë mësimit.

Sekretarja e Arsimit, Lucy Powell, deklaroi për BBC se mesazhi i qeverisë për prindërit dhe nxënësit është i qartë: shkolla duhet të jetë një hapësirë për të mësuar dhe për të krijuar miqësi, jo për të kaluar kohën në telefon.

Sipas qeverisë, përdorimi dhe aksesi i vazhdueshëm te telefonat celularë rrezikon të shpërqendrojë fëmijët nga procesi mësimor dhe komunikimi me njëri-tjetrin.

Shkollat do të kenë fleksibilitet në mënyrën e zbatimit të ndalimit. Ndër alternativat e parashikuara janë vendosja e telefonave në qese të vulosura, ruajtja e tyre në dollapë të sigurt, grumbullimi në fillim të ditës shkollore ose ndalimi i plotë i pajisjeve në ambientet e shkollës.

Megjithatë, drejtuesit e institucioneve arsimore kanë ngritur shqetësime për kostot financiare të zbatimit të masave. Paul Whiteman, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Drejtuesve të Shkollave (NAHT), u shpreh se telefonat mund të krijojnë probleme sigurie dhe të shpërqendrojnë nxënësit, por paralajmëroi se kufizimet e reja do të kërkojnë financim shtesë.

Edhe Pepe Di’Iasio, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Drejtuesve të Shkollave dhe Kolegjeve, theksoi se sigurimi i hapësirave të posaçme për ruajtjen e telefonave të çdo nxënësi do të kishte kosto të konsiderueshme.

Ndërkohë, sekretarja në hije e Arsimit, Laura Trott, e mirëpriti vendimin, por kritikoi mungesën e një strategjie të koordinuar për përdorimin e teknologjisë në klasa.

Udhëzimet e reja mbështeten në rregullat detyruese që hynë në fuqi në qershor, të cilat i bëjnë shkollat përgjegjëse për garantimin e një mjedisi pa telefona celularë.

Duhet theksuar se politika arsimore në Mbretërinë e Bashkuar është kompetencë e deleguar, ndaj rregullat për përdorimin e telefonave në shkolla mund të ndryshojnë mes Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: