Kërkesa e Erion Veliajt për të qenë i pranishëm në Asamblenë e PS-së, e planifikuar të mbahet të shtunën, më 14 nëntor, ka marrë një përgjigje paraprake nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi. Kryebashkiaku i Tiranës i është drejtuar me një kërkesë Sekretariatit të PS-së dhe SPAK-ut, ku kërkon të marrë pjesë fizikisht në mbledhje ose, në pamundësi, përmes një lidhjeje me video-konferencë.
I pyetur në një intervistë për Klan News se si do të veprojë PS-ja për këtë kërkesë, Klosi bëri të ditur se çështja do të diskutohet në forumet e partisë. Megjithatë, ai theksoi se pengesa kryesore mbetet masa e paraburgimit ndaj Veliajt. “Jam njohur me atë letër dhe është një moment që do ta diskutojmë në forumet tona. Por problem mbetet raporti me paraburgimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të zgjedhur me votë”, deklaroi Klosi.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së përsëriti qëndrimin kundërshtues të socialistëve ndaj masës së paraburgimit, duke e cilësuar atë si një praktikë të përdorur në mënyrë të tepruar në Shqipëri. Sipas tij, situata është absurde dhe përgjegjësia për ngërçin aktual lidhet me vendimmarrjen e organeve të drejtësisë. “Ne kemi bërë gjithçka që të kundërshtojmë masën e paraburgimit, sepse jemi më keq se Rusia për masën e paraburgimit, gjendemi në situatë absurde. Drejtësia ka marrë atë vendim që ka marrë, pavarësisht se ne e kemi kundërshtuar”, u shpreh ai.
Klosi la të kuptohet se qëndrimi përfundimtar i PS-së lidhur me pjesëmarrjen e Veliajt do të përcaktohet pas diskutimeve në forumet partiake, ndërsa shtoi se çdo zhvillim i ri nga organet e drejtësisë do të merret në shqyrtim. Gjatë intervistës, ai u pyet edhe për pretendimet e Veliajt lidhur me transferimin e tij në burgun e Fierit dhe vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Për këto çështje, Klosi zgjodhi të mos komentojë, duke argumentuar se nuk mund të flasë për individë të veçantë. “Jam personi i gabuar që të përgjigjem për këtë problem. Nuk mund të flas dot për individë të caktuar”, tha ai.
