Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek Kosova gjatë një diskutimi në Musée de l’Homme, Parism ku zhvillohet “Forumi i Paqes”.
Ai deklaroi se Shqipëria ka qenë gjithmonë vend paqedashës, teksa shton se Kosova është shtet i pavarur, duke u ndalur edhe te raporti BE-Serbi.
– Në kontekstin e Forumit të Paqes së Parisit të këtij viti, si mund të kontribuojë Shqipëria për të nxitur bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor për ta transformuar në një paqe afatgjatë, sidomos duke marrë parasysh edhe tensionet midis Serbisë dhe Kosovës.
Kryeministri Rama: Për këtë mund të them me krenari që Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes së bashkëpunimit me të gjithë në rajon. Ka disa gjëra që mund të jesh sa i lirë të duash, por që s’mund të zgjedhësh. E ajo çfarë është më e vështirë nuk zgjedh dot kushërinjtë e fqinjët. Nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Çështje fati. Fqinjët janë aty ku janë. Do të jenë gjithmonë aty.
Nuk do të shkojnë asgjëkundi. Kështu që më mirë të përpiqesh që të shkosh mirë me fqinjin, sepse në të kundërt pastaj gjen bela. Gjyshja ime thoshte, fqinj i lumtur bën një shtëpi të lumtur, e kundërta është shumë sfiduese. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur me një farë shkalle suksesi. Por sa i takon çështjes për Serbinë dhe Kosovën mbetet një pikëpyetje sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë.
Ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, nuk ka më kthim pas, nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Kështu që siç e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht sa i takon marrëdhënieve në rajon. Faleminderit shumë.