Erion Veliaj kërkon të marrë fjalën në Asamblenë e Partisë Socialiste, por nga selia rozë nuk vjen një përgjigje pozitive.
Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim dhe ditët e fundit ka drejtuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duhet fillimisht të marrë lejen e organeve të drejtësisë. Por edhe nëse SPAK i hap rrugën për të folur para socialistëve, kjo nuk do të thotë se partia do t'ia mundësojë pjesëmarrjen.
Përmes një shkrese zyrtare të dërguar nga paraburgimi në Fier, Veliaj i është drejtuar sot Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar që t’i garantohet pjesëmarrja fizike në mbledhje ose, nëse kjo nuk është e mundur, përmes një lidhjeje me videokonferencë.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, në një intervistë për Klan News, ia ka kaluar përgjegjësinë organeve të drejtësisë, duke shmangur një angazhim të qartë për t'i dhënë Veliajt mundësinë të komunikojë me Asamblenë, qoftë edhe përmes një lidhjeje me video. Klosi tha se PS e ka kundërshtuar paraburgimin e kryebashkiakut, por theksoi se kërkesa e tij për të marrë pjesë në Asamble nuk është çështje që zgjidhet nga partia.
“Ne e kemi kundërshtuar këtë situatë, kemi bërë përpjekje kundër paraburgimit si masë e parë, sepse jemi keq me paraburgimin, edhe krahasuar me Rusinë jemi më keq për njerëzit e paraburgosur dhe kjo është një situatë absurde. Por nuk është një raport me Asamblenë, por është një raport me drejtësinë. Raporti i kërkesës që ju përmendni është një raport me organet e drejtësisë, jo me të partisë”, deklaroi Klosi.
I pyetur nëse PS do të organizojë një lidhje me video për Veliajn në rast se SPAK i jep leje, Klosi nuk dha asnjë garanci, duke lënë të kuptohet se kryebashkiaku duhet të kalojë edhe filtrin politik të partisë.
“Do ta gjykojmë pasi të jenë organet e drejtësisë që të vendosin. Ato e kanë krijuar këtë ngërç, nuk e kanë krijuar organet e partisë”, u shpreh ai.
Kështu, kërkesa e Veliajt mbetet mes dy dyerve të mbyllura: fillimisht asaj të drejtësisë dhe më pas asaj të strukturave socialiste, në një moment kur përplasja e tij me Ramën është bërë publike.
© SYRI.net
VIDEO/ Kovatchev: Parlamenti të hetojë përdorimin joproporcional të dhunës ndaj protestuesve dhe gjobat e AMA
‘Duhet larguar Rama’/ Këlliçi: Parlamenti Europian rrëzon propagandën! Brukseli kërkon zgjedhje të lira
VIDEO/ Dosja ‘Irena Gjoka’, Gjokutaj: Prokurori pyeti vetëm gjyqtaren e akuzuar dhe më pas e mbylli çështjen