Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka propozur zgjidhjet e mundshme për të kapërcyer krizën politike që po kalon vendi.
Ish-presidenti që ndodhet në qeli, në pritje të gjykimit, kërkon rikthimin e Kushtetutës para ndryshimeve të vitit 2008, gjë që do rikthente ndarjen e pushteteve.
Ai propozon gjithashtu hapjen 100% të listave zgjedhore për deputetë, kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë si dhe balotazhin për kryebashkiakët.
“VETËM KËTO JANË ZGJIDHJET!
Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e “Rilindjes”
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.”