Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë hapur një betejë të re ligjore në Shtetet e Bashkuara kundër komentatores konservatore Candace Owens, duke e akuzuar për shpifje dhe përhapje të vazhdueshme të pretendimeve të pavërteta lidhur me identitetin gjinor të Zonjës së Parë të Francës. Çifti presidencial ka depozituar një padi federale në Nashville, ku kërkon që Owens të mbajë përgjegjësi ligjore për deklaratat dhe teoritë konspirative që ka promovuar publikisht që prej vitit 2024. Macronët pretendojnë se këto deklarata kanë dëmtuar rëndë reputacionin e tyre dhe kanë cenuar jetën e tyre private. Në qendër të kësaj përplasjeje janë pretendimet e komentatores amerikane se Brigitte Macron ka lindur mashkull dhe se më vonë ka marrë identitetin e një personi tjetër. Këto pretendime, të cilat janë mohuar nga çifti presidencial, janë bërë pjesë e një fushate të gjatë publikimesh në internet, ku Owens i ka rikthyer vazhdimisht në vëmendje përmes emisioneve dhe rrjeteve sociale.