Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë evidenton problematika në sigurinë ushqimore, duke vënë në pah nevojën për forcimin e kontrolleve përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nga ferma deri në treg. E ftuar në emisionin “Alert” në News24 ekspertja dhe ish-pika e kontaktit të EFSA-s Valbona Paluka tha se vendi ka bërë hapa pozitivë në përafrimin e legjislacionit me standardet europiane, por sfida kryesore mbetet zbatimi i tij në praktikë.

Në një analizë të gjetjeve të raportit, Paluka thekson se Shqipëria nuk ka pasur mungesë të legjislacionit për sigurinë ushqimore, pasi ligji i vitit 2008 ka krijuar një bazë të rëndësishme ligjore. Megjithatë, ajo nënvizon se kontrollet dhe parandalimi i rreziqeve duhet të nisin që në fermë, pasi problemet nuk janë në fabrikë apo në treg, por në origjinën e produktit.

“Ne nuk jemi te pjesa e alarmit për pasigurinë ushqimore. Kemi rezultate që janë në nivele. Shqipëria ka kaluar një sërë auditimesh, nga ferma deri te institucionet dhe laboratorët, përfshirë ISUV-in. Janë bërë hapa shumë pozitivë sa i përket legjislacionit. Shqipëria nuk ka vuajtur nga përgatitja e legjislacionit, por nga zbatimi i tij” shprehet Paluka.

Një nga problematikat që ajo veçon është mungesa e një zinxhiri të integruar kontrolli dhe përgjegjësish institucionale. Sipas saj, kontrolli i ushqimit për kafshët nga AKU-ja në pikat kufitare dhe më pas kalimi i përgjegjësisë te AKVMB-ja krijon ndërprerje në mbikëqyrjen e zinxhirit. Për këtë arsye, Paluka e konsideron të nevojshëm bashkimin e strukturave dhe koordinimin e tyre.

“Vlerësimi i riskut është baza e punës së AKU-së. Çdo ngarkesë dhe çdo fermë duhet të kontrollohet përmes analizave. Kontrolli i ushqimit për kafshët bëhet nga AKU-ja, edhe në pikat kufitare, ndërsa më pas përgjegjësia kalon te AKVMB-ja. Kemi një ndërprerje të zinxhirit. Për këtë arsye në raport është theksuar nevoja për bashkimin e tyre” argumenton ekspertja.

Paluka sjell në vëmendje edhe rastin e Malit të Zi, që sipas saj ka avancuar në organizimin e kontrolleve dhe në përmirësimin e shëndetit të kafshëve, duke ndërtuar një zinxhir më të plotë, nga ferma deri te produkti përfundimtar.
Një tjetër pikë e dobët është mungesa e një programi të qëndrueshëm për qumështin. Ekspertja thotë se kjo nevojë është identifikuar prej vitesh në projektet e mbështetura nga Bashkimi Europian, por masat e parashikuara nuk janë zhvilluar në kohë, pavarësisht se Komisioni Europian e ka rikthyer këtë çështje në vëmendje edhe në raportet e viteve 2025 dhe 2026.

Sipas saj, përmirësimi i cilësisë së qumështit nuk mund të arrihet vetëm përmes kontrolleve në fabrikat e përpunimit apo në treg, por kërkon ndërhyrje që në fermë.
“Duhet të fillojmë nga ferma, nga kushtet e mjeljes, higjiena dhe kushtet e ftohjes. Është një cikël që kërkon investime në pajisje, por edhe rritje të kapaciteteve. Fermerët dhe inspektorët kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme” thekson Paluka.

Ajo paralajmëron se përafrimi me standardet europiane nuk është thjesht një detyrim për procesin e integrimit, por kusht për të garantuar konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që të ruajmë produktet tona. Nëse nuk i përafrohemi Bashkimit Europian, çfarë do të ndodhë me produktet tona dhe me bujqësinë tonë?” shtron si pyetje ekspertja.

Sipas Palukës, sfida e Shqipërisë nuk është më hartimi i ligjeve dhe miratimi i standardeve, por ndërtimi i një sistemi funksional kontrolli, me institucione të koordinuara, laboratorë të fuqizuar dhe investime konkrete në fermë. Sepse siguria e ushqimit që mbërrin në tryezën e konsumatorit përcaktohet shumë përpara se ai të dalë në treg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb