Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes, ku u ekzekutua me armë zjarri një shtetas shqiptar.
Viktima është identifikuar si Luka Beqiraj, 39 vjeç, banor me origjinë nga Vlora. Ai u qëllua për vdekje teksa ndodhej i qetë në tarracën e një lokali.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, dinamika e atentatit tregon për një plan të mirëorganizuar.
Autori i dyshuar është afruar pranë lokalit duke përdorur një monopatinë elektrike. Pasi është afruar në distancë qitjeje, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Beqirajt, i cili nuk ka mundur të shpëtojë nga plumbat që i shkaktuan plagë fatale.
Menjëherë pas të shtënave, agresori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja me të njëjtën monopatinë elektrike, duke humbur gjurmët në rrugët përreth dhe duke i shpëtuar ndjekjes së menjëhershme.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e urgjencës mjekësore, të cilët u munduan t'i jepnin ndihmën e parë 39-vjeçarit shqiptar. Për fat të keq, plagët e marra në pjesë jetësore të trupit ishin tepër të rënda dhe Beqirajt ndërroi jetë në vend.
Policia spanjolle dhe trupat e Guardia Civil kanë nisur menjëherë hetimet intensive. Nga të dhënat e para, pista kryesore ku po hetohet është ajo e larjes së hesapeve, për shkak të metodës së ekzekutimit ngjashëm me atentatet e krimit të organizuar. Megjithatë, autoritetet theksojnë se ende nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e saktë të ngjarjes.
Deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa forcat e rendit po krehin zonën dhe po analizojnë kamerat e sigurisë për të zbardhur itinerarin e lëvizjeve të autorit para dhe pas krimit.
Ndërkohë, autopsia e trupit të viktimës është planifikuar të kryhet ditën e mërkurë, më 11 nëntor, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi dinamikën mjeko-ligjore të plagëve dhe shkakun zyrtar të vdekjes.
Autoritetet spanjolle vijojnë operacionin për kapjen e autorit, i cili mbetet ende në arrati.