Puka është kthyer në një personazh të përdorur shpesh nga mediat britanike me qëndrime kundër emigracionit. Postimet e tij në rrjetet sociale kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e televizioneve dhe gazetave konservatore, të cilat e kanë paraqitur si shembull të një emigranti që autoritetet britanike nuk po arrijnë ta largojnë nga vendi. Por këtë herë, shqiptari nga Laçi ka vendosur të publikojë komunikimet me gazetarët, duke pretenduar se, ndërsa në ekran portretizohet si kriminel që duhet deportuar, jashtë kamerave të njëjtët persona e kontaktojnë me respekt dhe i ofrojnë para për të dalë në emisionet e tyre. Në reagimet e publikuara, Puka shprehet se nuk ka interes të përfitojë financiarisht nga këto intervista dhe akuzon mediat se po shpikin histori për jetën e tij, vetëm për të tërhequr sa më shumë shikues.