Një tjetër sulm ka shënjestruar tubacionin kryesor të naftës në Arabinë Saudite, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar në zonën e Medinës.
Sipas autoriteteve saudite, flakët u vunë nën kontroll nga ekipet e emergjencës. Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima, ndërsa transporti i naftës në tubacion nuk është ndërprerë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas sulmit dhe as mënyrën se si është kryer ai.
Tubacioni Lindje-Perëndim është rreth 1,200 kilometra i gjatë dhe ka një rëndësi strategjike për eksportet saudite të naftës, pasi mundëson transportimin e saj drejt Detit të Kuq, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit.
Sulmi vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar dhe infrastruktura energjetike e Arabisë Saudite është vënë disa herë në shënjestër.











