Elton Qyno-SYRI.net
Vrasja e biznesmenit italian, Eduardo Sarchi, në fshatin Salari të Tepelenës, është klasifikuar nga Prokuroria e Gjirokastrës si një ngjarje kriminale e ndodhur më 26 shtator 2025, në kushtet e tronditjes së fortë psikike dhe jo si vrasje e thjeshtë apo vrasje me dashje.
Vendimi për ndryshimin e akuzës gjatë fazës së hetimit dhe dërgimin e dosjes në gjyq me të pandehur Kamber Sulçajn, nga fshati Mesaplik i Vlorës, është marrë nga prokurorja e çështjes, Blerina Musabelliu.
Fillimisht, nga ana e Policisë së Gjirokastrës, i arrestuari Kamber Sulçaj u akuzua për 3 vepra penale, si person i dyshuar për ‘Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, ‘Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit’, si dhe ‘Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’.
Por, përgjatë një periudhe 1-vjeçare të zhvillimit të hetimeve, prokurorja Blerina Musabelliu ka vendosur të ndryshojë kualifikimin ligjor të veprës penale të vrasjes, duke i hequr Kamber Sulçajt akuzën e ‘Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dhe duke e akuzuar atë për ‘Vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike’.
Në kërkesën e saj dërguar për gjykim, prokuroria argumenton se autori i krimit është konfliktuar me biznesmenin italian dhe dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë për shkak të dritave të gjata.
Nga ky konflikt fizik, ai është ndjerë i tronditur dhe, pasi është larguar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës, duke sjellë edhe vdekjen e shtetasit italian, Eduardo Sarchi, i cili humbi jetën për shkak të një plumbi rikoshet.
Paralelisht me akuzën e ‘Vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike’, mësohet se Kamber Sulçaj është çuar si i pandehur në Gjykatën e Gjirokastrës edhe për dy akuzat e tjera, si ‘Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit’ dhe ‘Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’.
Vetëm akuza e ‘Vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike’ është një vepër penale, e cila dënohet me burgim deri në tetë vjet. Kjo konsiderohet një formë e ‘zbutur’ e vrasjes me dashje, pasi ligji merr parasysh gjendjen e rënduar emocionale dhe mendore në të cilën ndodhej autori në momentin e krimit, të shkaktuar drejtpërdrejt nga viktima.
Ndërkohë, pas dërgimit të dosjes në gjykatë, prokurorja e çështjes, Blerina Musabelliu, mësohet se është transferuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nga Prokuroria e Gjirokastrës në Prokurorinë e Durrësit.
Tashmë një prokuror i ri ka hyrë në këtë çështje penale, e cila ndodhet në fazën e gjykimit në seancën paraprake, ku gjyqtare e çështjes mësohet se është Nertila Përrallaj.
Pritet që në seancën e radhës, prokurori i ri dhe avokati mbrojtës të shpalosin argumentet ligjore para gjykatëses Përrallaj, ku, me sa duket, i gjithë debati juridik do të fokusohet pikërisht te kualifikimi i ndryshëm i akuzës së vrasjes në dëm të shtetasit italian, Eduardo Sarchi.
Lidhur me çështjen konkrete, mësohet se interes kohët e fundit për ecurinë e procesit hetimor dhe atij gjyqësor ka shfaqur edhe Ambasada Italiane në Tiranë, pasi viktima ishte shtetas italian dhe ushtronte aktivitet biznesi në Shqipëri.
Vetëm pas diskutimit përfundimtar, pritet që në seancat në vijim gjykata të shprehet nëse të pandehurin Kamber Sulçaj do ta dërgojë për gjykim me 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria e Gjirokastrës, apo do të vendosë ndryshimin e akuzës në ‘Vrasje të thjeshtë’, apo mund edhe ta kthejë çështjen sërish për kryerjen e hetimeve shtesë në prokurori.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti verbal mes autorit dhe viktimës, si dhe dy personave që ndodheshin në makinë, dyshohet se ka nisur pas një debati banal për dritat e makinës. Më pas, Sulçaj është larguar, duke qëlluar nga një distancë me armë zjarri në drejtim të makinës së biznesmenit, duke i shkaktuar atij plagë të rënda në arterien e këmbës, që i morën jetën.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur autori largohet nga vendngjarja me automjetin e tij. Kjo ka ndihmuar autoritetet në gjurmimin e lëvizjeve të tij pas krimit.
Automjeti i përdorur nga autori është gjetur i braktisur në një zonë malore në territorin e Tepelenës. Gjatë kontrollit të mjetit, grupi hetimor ka sekuestruar një arsenal të vogël armësh dhe sende të tjera të dyshimta.
Kamber Sulçaj, tashmë i pandehur, rezulton të jetë aksioner në një gurore në zonën e Bratajt, Selenicë, të quajtur ‘Stone Quramenga’. Ai zotëron 25 për qind të aksioneve, ndërsa ortakë të tij janë babai, Delo Sulçaj (20%), dhe vëllai, Akil (Ermal) Sulçaj (15%), së bashku me dy aksionerë të tjerë.
Po ashtu, ai është pronar i një stani me bagëti në zonën malore të Vlorës.
Nuk është hera e parë që emri i familjes Sulçaj del në raport me autoritetet e sigurisë dhe rendit. Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestua vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre, Roel Sulçaj.
Të dy u kapën në flagrancë me 2,632 fara kanabisi, të cilat dyshohej se do të përdoreshin për kultivim dhe më pas shitje.
© SYRI.net