Skocia, rrëfimi i McTominay: Pata probleme kardiake në Botërorin 2026 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për Kombëtaren shqiptare, duke u ndalur te trajneri aktual Rolando Maran, dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve dhe mbështetja e tifozëve për kuqezinjtë. Në fund, kreu i FSHF-së u përball edhe me dilemën Sylvinho apo Maran, duke dhënë një përgjigje që nuk lë vend për shumë interpretime.
Duka vlerësoi eksperiencën e trajnerit italian, duke theksuar se ai di të menaxhojë presionin dhe të marrë vendimet e duhura në funksion të kundërshtarit dhe lojtarëve që ka në dispozicion. “Trajneri është një nga ata që ka më shumë dhimbje koke gjatë ndeshjes, sepse mendon për lojën, lojtarët që do të hedhë në fushë dhe mënyrën se si do t’i përshtatet kundërshtarit. Duke qenë një trajner me eksperiencë, nuk është hera e parë që përballet me situata të tilla. Di si t’i përballojë dhe si të mos ua transmetojë presionin lojtarëve”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së u ndal edhe te mbështetja e tifozëve, që kanë shteruar të gjitha biletat për sfidën e radhës në “Arenën Kombëtare”. Ai solli në vëmendje interesimin e madh në ndeshjen ndaj San Marinos, ku në stadium ishin të pranishëm rreth 17 mijë tifozë.
“Tashmë Kombëtarja ndiqet në të gjitha ndeshjet e saj. Ndaj San Marinos e pamë, asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur të kishte 17 mijë tifozë në stadium. Nuk mendoj se kjo ka lidhje me diçka tjetër, përveç dëshirës së njerëzve për të ndjekur skuadrën në stadium”, deklaroi kreu i FSHF-së. Por pyetja më interesante erdhi në fund: Sylvinho apo Maran? Duka nuk preferoi të bënte dallime mes dy trajnerëve që kanë drejtuar Shqipërinë, duke iu përmbajtur qëndrimit të tij të mëparshëm.
“Më është bërë shpesh kjo pyetje, por gjithmonë jap të njëjtën përgjigje. Më i miri është ai që është trajner i Kombëtares për momentin”, ishte përgjigjja e Dukës. Ndërkohë, në intervistën e tij, presidenti i FSHF-së preku edhe një çështje të rëndësishme për të ardhmen e futbollit shqiptar, Ligjin e Sponsorizimeve. Duka zbuloi se ka marrë premtime nga kryeministri dhe ministri përgjegjës për sportin se ligji mund të konkretizohet brenda këtij viti, ndonëse pas shumë diskutimeve dhe premtimeve ndër vite, mbetet ende i rezervuar për një konfirmim përfundimtar.
Top Channel