Shqipëria ka mundësinë të përmbyllë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, por realizimi i këtij objektivi kushtëzohet nga rezultate konkrete në reformat kyçe.
Eurodeputeti bullgar i grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Andrey Kovatchev, thekson se përparimi drejt BE-së nuk mund të matet vetëm me hapjen e kapitujve apo angazhimet politike. Sipas tij, vendi duhet të dëshmojë pavarësi reale të gjyqësorit, forcim të shtetit të së drejtës dhe luftë efektive kundër korrupsionit.
Duke komentuar edhe zhvillimet e fundit politike dhe protestat në Shqipëri, Kovatchev u shpreh se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe e drejta për tubime paqësore të garantohet. Ai kërkoi gjithashtu hetim të çdo rasti të përdorimit joproporcional të forcës, duke theksuar se edhe aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës publike apo private nga protestuesit nuk duhet të mbeten pa u hetuar.
Eurodeputeti kërkoi që çështjet që lidhen me dhunën, lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive të marrin trajtim edhe në Parlamentin shqiptar. Ai bëri thirrje për dialog konstruktiv mes palëve politike.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me mbrojtjen e mjedisit. Kovatchev nënvizoi se projektet turistike, infrastrukturore dhe mjedisore duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve të pavarura të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve publike, në përputhje me standardet e BE-së.
Sipas tij, zhvillimi i turizmit nuk duhet të vijë në dëm të trashëgimisë natyrore, ndërsa përafrimi me Kapitullin 27 të legjislacionit evropian kërkon jo vetëm miratimin e ligjeve, por edhe zbatimin e tyre në praktikë.












