Nga maja e Wall Street-it te humbja prej 400 miliardë dollarësh, hetimi për furnizimin kinez të çipave vë në rrezik fronin e Nvidia-s
Gjiganti global i mikroçipave të inteligjencës artificiale, Nvidia, është përfshirë nga një stuhie hetimesh federale dhe padish gjyqësore pas zbardhjes së detajeve të reja mbi të ashtuquajturën “Çështje Alice Huang”. Drejtori Ekzekutiv, Jensen Huang, përballet me një padi kolektive të ngritur nga aksionarët në gjykatën federale në San Jose, Kaliforni, si dhe me një hetim zyrtar nga FBI për çështje të sigurisë kombëtare.
Sipas aktpadisë së paraqitur nga Firma Ligjore Rosen, Huang akuzohet se u ka fshehur aksionarëve informacione kritike mbi lidhjet e tij me Alice Huang — ekzekutive e lartë e kompanisë së qendrave të të dhënave Megaspeed me bazë në Singapor, e cila dyshohet se ka vepruar si agjente e inteligjencës për Ministrinë e Sigurisë së Shtetit kinez.
Sipas të dhënave hetimore, ajo dyshohet se ka lehtësuar dërgimin e paautorizuar të gjysmëpërçuesve dhe çipave të ndjeshëm drejt Pekinit me një vlerë prej rreth 7.5 miliardë eurosh (kundrejt kërkesave dhe kufizimeve të qeverisë amerikane), duke çuar xhiron e Megaspeed nga 33 milionë euro në vitin 2023 në 3.3 miliardë euro në vitin 2024.
Reagimi në tregun financiar ka qenë i menjëhershëm dhe dëmtues për kompaninë. Nvidia, e cila më parë ishte kompania më e vlefshme në botë duke kapërcyer shifrën prej 5 trilionë dollarësh, ka humbur mbi 400 miliardë dollarë në vetëm pak seanca tregtimi, duke rënë në vendin e tretë pas Microsoft-it dhe Apple-it.
Bordi i Nvidia-s njoftoi nisjen e një hetimi të pavarur për të verifikuar nëse Huang ka qenë “objektiv i aktivitetit të inteligjencës së huaj”. Ndërkohë, tri komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar seanca dëgjimore me dyer të mbyllura me kreun e kompanisë.
Pekini i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar shpifje, ndërsa Presidenti Donald Trump ka shprehur mbështetje publike për Huang, duke deklaruar se “gjithçka do të shkojë mirë për të”.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, analistët financiarë vlerësojnë se bordi drejtues i Nvidia-s duhet të hartojë me urgjencë një plan për zëvendësimin e mundshëm në krye të kompanisë. Gjithashtu, presione shtesë financiare mund të lindin edhe në planin personal për Jensen Huang, i cili zotëron 3.6% të aksioneve të kompanisë; një zgjidhje e mundshme divorci nga bashkëshortja e tij Lori Mills mund t’i kushtonte atij rreth 80 miliardë dollarë, duke u shndërruar në një nga proceset më të shtrenjta në histori.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



