Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shefi i Pentagonit e quan “të dështuar” synimin për shkarkimin e tij

Pete Hegseth

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka cilësuar të martën si një farsë dhe të destinuar të dështojë, përpjekjen për shkarkimin e tij përmes procedurës së fajësimit e njohur si “impeachment”, lidhur me abuzimin e pushtetit gjatë luftës në Iran.

Hegseth i ka bërë këto komente në një konferencë për media, një ditë pasi kongresmeni republikan nga Kentaki, Thomas Massie, paraqiti tetë nene të fajësimit kundër tij.

Në konferencën e parë për media në Pentagon që nga muaji maj, Hegseth ka thënë se përpjekjet për të shkarkuar presidentin Donald Trump kishin dështuar, duke shtuar se “edhe këtë herë do të dështojnë”. 

"Ky nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, ka deklaruar ai. Duke iu referuar luftës në Iran, Hegseth ka shtuar se qëndron prapa secilit prej operacioneve dhe se do t’i bënte sërish.

Hegseth gjithashtu ka kritikuar mediat duke thënë se ajo nuk mund të "pranojë kurrë suksesin ushtarak" sepse ajo "e urren presidentin" më shumë sesa i do SHBA-nw dhe trupat e saj. 

Hegsethi përmend Kosovën në mbrojtje ndaj nismës për shkarkimin e tij

9 o. më parë / 10 nën 2026 16:39
Pete Hegseth

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka përmendur ndërhyrjen në Kosovë dhe në vende të tjera për t’u mbrojtur ndaj nismës për shkarkimin e tij. Ai ka thënë se në asnjë nga këto ndërhyrje që ka bërë SHBA-ja, sekretari i Mbrojtjes nuk është shkarkuar.

Hegsethi e ka cilësuar përpjekjen për shkarkimin e tij si një “spektakël politik” dhe një manifest personal të nxitur nga egoja dhe pakënaqësia.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të zhvillojë të martën një votim procedural, i cili do të tregojë se sa republikanë janë të gatshëm t’i kthejnë shpinën Hegsethit. Ky votim është vetëm hapi i parë dhe do të përcaktojë nëse Dhoma do t’i shqyrtojë nenet e shkarkimit apo nëse udhëheqja republikane do të arrijë ta ndalë nismën para se ajo të shkojë për votim te ligjvënësit.

Në një konferencë të rrallë për media në Pentagon, Hegseth e përshkroi kongresmenin republikan Thomas Massie si një ligjvënës të mposhtur dhe të pakënaqur, i cili, sipas tij, nuk ushtron mbikëqyrje reale. Massie të hënën paraqiti tetë pika për shkarkimin e Hegsethit, ndërsa më herët këtë vit kishte humbur zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane.

Hegseth përsëriti se ka udhëhequr operacione ushtarake të ligjshme dhe të suksesshme dhe ka thënë se asnjë sekretar i Mbrojtjes nuk është shkarkuar për një gjë të tillë.

“Jo një herë, me ose pa një rezolutë për kompetencat e luftës. Jo nën Reaganin në Liban, jo nën Clintonin në Kosovë, jo nën Obaman në Irak dhe Siri dhe jo nën Bidenin në Irak dhe Siri. Ky është standardi. Nuk është shkarkuar asnjëherë”, ka thënë Hegseth.