Kush është Mohsen Rezaei, shefi i sigurisë së Iranit?

11 Nëntor 2026 | 07:52

Mohsen Rezaei, ish-komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), është rikthyer në qendër të aparatit të sigurisë shtetërore në një nga periudhat më vendimtare në historinë e vendit.

Pas 16 vjetësh në krye të IRGC-së, gjatë dhe pas Luftës Iran-Irak, që zgjati pothuajse gjatë gjithë viteve ’80, dhe gati një çerek shekulli në një tjetër institucion kyç shtetëror, Rezaei tani mban postin e sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare (SNSC).

Kjo e vendos atë në qendër të vendimmarrjes për luftën, bisedimet për çështje bërthamore dhe marrëdhëniet me fuqitë e huaja.

Pas vrasjes së udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, dhe shfaqjes së djalit të tij, Mojtaba, si pasardhës i tij, emërimi i Rezaeit i ka dhënë sërish rëndësi një figure, karriera e së cilës përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike.

Nga aktivist kundër shahut në komandant të Gardës Revolucionare

I lindur më 1954 në qytetin Masjed Soleyman, në jugperëndim të Iranit, në një familje të përkatësisë etnike bakhtiari, Rezaei u përfshi qysh në rininë e tij në veprimtari kundër shahut Mohammad Reza Pahlavi.

Në fillim të viteve ’70, ai u arrestua nga SAVAK-u, shërbimi sekret i shahut, dhe u burgos në Ahvaz.

Ai ishte gjithashtu anëtar i Mansourounit, një grupi militant islamik në ilegalitet, anëtarët e të cilit më vonë luajtën rol në krijimin e strukturave revolucionare të sigurisë.

Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, Rezaei u përfshi në themelimin e Gardës Revolucionare Islamike, duke iu bashkuar këshillit të saj qendror dhe duke marrë pjesë në hartimin e statutit themelues të saj.

Në shtator të vitit 1981, në moshën 27-vjeçare, ai u emërua komandant i përgjithshëm i IRGC-së nga udhëheqësi suprem, ajatollah Ruhollah Khomeini, themeluesi i Republikës Islamike.

Vitet në krye të Gardës Revolucionare

Rezaei e drejtoi IRGC-në nga viti 1981 deri më 1997, duke mbikëqyrur operacionet e saj gjatë pjesës më të madhe të luftës tetëvjeçare me Irakun.

Nën udhëheqjen e tij, IRGC-ja u shndërrua nga një forcë ushtarake revolucionare në një institucion shumë më të gjerë ushtarak dhe të sigurisë, duke zgjeruar kapacitetet organizative dhe ndikimin.

Rezaei u bë një nga figurat kryesore në vendimmarrjen ushtarake të Iranit gjatë luftës, duke bashkëpunuar me komandantë të lartë dhe zyrtarë politikë, përfshirë presidentin e atëhershëm, Ali Akbar Hashemi Rafsanjani.

Megjithatë, bilanci i tij ushtarak mbetet i diskutueshëm.

Një nga episodet më të debatueshme lidhet me Operacionin “Karbala-4”, të nisur në dhjetor të vitit 1986.

Ofensiva iraniane, e cila synonte të çante mbrojtjen irakiane pranë Basrës, përfundoi me humbje të mëdha në radhët e forcave iraniane, pasi dukej se ushtria irakiane e kishte parashikuar sulmin.

Në vitin 2018, Rezaei e përshkroi operacionin si një manovër mashtruese, që synonte përgatitjen e terrenit për ofensivën pasuese “Karbala-5”. Deklarata e tij shkaktoi kritika nga veteranët e luftës, familjarët e të vrarëve dhe ish-zyrtarët ushtarakë.

Më vonë, ai sqaroi se “Karbala-4” fillimisht kishte qenë një operacion i mirëfilltë ushtarak, përpara se të përdorej për të mashtruar forcat irakiane.

Uniformën e zëvendësoi me politikën

Rezaei u largua nga posti i komandantit të IRGC-së në vitin 1997, kur në vend të tij u emërua Yahya Rahim Safavi. Megjithatë, largimi nga udhëheqja ushtarake nuk nënkuptoi daljen e tij edhe strukturat e pushtetit.

Khamenei e emëroi atë sekretar të Këshillit për Përcaktimin e Interesit të Shtetit, një institucion përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Parlamentit dhe Këshillit të Gardianëve – organit që mbikëqyr zbatimin e Kushtetutës në Iran – si dhe për dhënien e këshillave lidhur me politikat e përgjithshme të vendit.

Ai e mbajti këtë post për gati 24 vjet, deri në vitin 2021. Gjatë kësaj periudhe, Rezaei u përpoq gjithashtu të krijonte profilin e një figure politike kombëtare. Ai garoi katër herë për president, në vitet 2005, 2009, 2013 dhe 2021, por nuk arriti asnjëherë të fitonte.

Pavarësisht pozitës së tij të gjatë brenda strukturave të pushtetit, Rezaei pati vështirësi të krijonte një bazë të konsiderueshme elektorale. Në zgjedhjet e vitit 2021, ai mori rreth 3.4 milionë vota, duke përfunduar pas fituesit Ebrahim Raisi, i cili siguroi mbi 18 milionë vota.

Pas zgjedhjes së Raisit president, Rezaei u emërua zëvendëspresident për Çështjet Ekonomike, post që e mbajti deri në vitin 2023. Mandati i tij relativisht i shkurtër nuk arriti ta shndërronte atë në një figurë të spikatur të politikëbërjes ekonomike – fushë në të cilën ai prej kohësh ka pasur vështirësi.

Qysh në vitin 2015, ai kishte hedhur një ide të pazakontë: nëse Shtetet e Bashkuara do ta sulmonin Iranin, ky i fundit do të merrte 1.000 pengje gjatë javës së parë dhe do të kërkonte miliarda dollarë për secilin prej tyre. Sipas tij, kjo skemë do t’i “zgjidhte problemet tona ekonomike”.

Ideja se Irani mund të dilte nga kriza financiare thjesht duke marrë pengje dhe duke kërkuar shpërblim për to, u kthye shpejt në një objekt talljeje që e shoqëroi për vite me radhë.

Akuzat për sulmin ndaj AMIA-s

Në Iran, Rezaei ka qenë një figurë e njohur për dekada. Në arenën ndërkombëtare, megjithatë, emri i tij lidhet edhe me dyshimet për përfshirje në sulmin e vitit 1994 ndaj qendrës së komunitetit hebraik, Asociacionit Izraelito-Argjentinas (AMIA), në Buenos Aires. Nga shpërthimi u vranë 85 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Prokurorët argjentinas akuzuan disa zyrtarë të lartë iranianë për përfshirje në sulm, përfshirë Rezaein, i cili në atë kohë ishte komandant i IRGC-së.

Në vitin 2007, me kërkesë të Argjentinës, Interpoli lëshoi një njoftim të kuq ndaj tij dhe pesë të dyshuarve të tjerë. Ky njoftim është ende në fuqi. Rezaei dhe autoritetet iraniane i kanë mohuar akuzat.

Njoftimi i kuq është një kërkesë ndërkombëtare për lokalizimin dhe arrestimin e përkohshëm të një personi, në pritje të procedurave ligjore. Ai nuk përbën vendim fajësie dhe as fletarrestim ndërkombëtar.

Rikthimi në qendër të strukturave të sigurisë

Rikthimi i Rezaeit në qendër të pushtetit u përshpejtua pas vrasjes së Ali Khameneit në sulmet amerikano-izraelite në shkurt të vitit 2026 dhe emërimit të Mojtaba Khameneit nga Asambleja e Ekspertëve si udhëheqësi i ri suprem i Iranit.

Në mars, udhëheqësi i ri suprem e emëroi Rezaein këshilltar të tij ushtarak.

Emërimet me peshë më të madhe erdhën në gusht. Mojtaba Khamenei e caktoi Rezaein si përfaqësuesin e tij në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare. Një ditë më vonë, presidenti Masud Pezeshkian e emëroi atë sekretar të këtij këshilli, në vend të Mohammad Bagher Zolqadr.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare bashkërendon politikat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të Iranit, duke mbledhur në një strukturë zyrtarë të lartë ushtarakë, politikë dhe qeveritarë. Vendimet e tij hyjnë në fuqi vetëm pasi të miratohen nga udhëheqësi suprem.

Ndonëse këshilli kryesohet zyrtarisht nga presidenti, sekretari i tij luan rol qendror në përcaktimin e agjendës, bashkërendimin e punës dhe mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve. Në praktikë, sekretari mund të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm në funksionimin e tij, veçanërisht kur është edhe njëri prej përfaqësuesve të udhëheqësit suprem në këtë këshill.

Emërimi i Rezaeit vjen në një kohë kur Irani përballet me vendime vendimtare lidhur me luftën, Ngushticën e Hormuzit dhe të ardhmen e negociatave me Uashingtonin. Pozita e re e Rezaeit shpejt u shtri përtej bashkërendimit të çështjeve të brendshme të sigurisë.

Në fund të tetorit, nënpresidenti amerikan JD Vance i dërgoi atij një letër, me synimin për të shqyrtuar mundësinë e rifillimit të negociatave me Iranin. Sipas raportimeve, Vance theksoi se çdo proces diplomatik do të duhej ta trajtonte edhe programin bërthamor të Teheranit.

Zgjedhja e personit të cilit iu drejtua letra ngjalli habi. Në vend që t’ia dërgonte atë kryetarit të Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, i cili ishte shndërruar në negociatorin kryesor të Iranit gjatë luftës, Uashingtoni kontaktoi Rezaein, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë institucionale me Mojtaba Khamenein.

Rezaei u shfaq gjithashtu si një figurë qendrore në diplomacinë bërthamore të Teheranit, meqë kjo çështje po trajtohet gjithnjë e më shumë në kuadër të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare.

Angazhimi i tij ndërkombëtar u shtri edhe në Moskë. Pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Rezaei udhëtoi drejt Moskës më 5 nëntor, ku përcolli një mesazh nga udhëheqësi suprem dhe diskutoi për sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin dypalësh.

Rezaei kundër Qalibafit

Ngritja e Rezaeit ka nxitur pikëpyetje për pozitën e Qalibafit, i cili u bë një nga figurat më të rëndësishme politike të Iranit gjatë fazave të para të luftës.

Të dy kanë prejardhje ushtarake, ndonëse Rezaei i përket një gjenerate më të vjetër të komandantëve të IRGC-së. Ai ishte në krye të kësaj force kur Qalibafi po ngjiste shkallët e hierarkisë së saj.

Qalibafi vazhdon të mbajë postin e kryetarit të Parlamentit dhe të drejtojë delegacionin negociator të Iranit në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës, e cila tashmë ka hyrë në muajin e nëntë. Por emërimi i Rezaeit i ka dhënë këtij të fundit një kanal të veçantë autoriteti, veçanërisht në bashkërendimin e politikave të sigurisë dhe komunikimin me udhëheqësin suprem.

Hamidreza Azizi nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se Rezaei kishte marrë mbështetjen e njerëzve të afërt me Mojtaba Khamenein, të cilët nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si Qalibafi i kishte trajtuar negociatat. Sipas Azizit, ata donin një figurë që mund t’i bashkonte grupet e ndryshme, veçanërisht strukturat ushtarake.

Rikthimi i Rezaeit, rrjedhimisht, dëshmon për rëndësinë gjithnjë e më të madhe të strukturave të sigurisë në përcaktimin e drejtimit politik dhe diplomatik të Iranit gjatë kohës së luftës.

Mbetet e paqartë nëse ai do të shndërrohet në vendimmarrësin kryesor strategjik të vendit. Por, pas dekadash të kaluara mes komandës ushtarake, institucioneve politike dhe posteve qeveritare, Rezaei ka siguruar sërish një vend në qendër të strukturës së pushtetit të Republikës Islamike.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Makina përplas këmbësorët në Los Angeles, 3 viktima dhe 3 të plagosur rëndë (VIDEO)

Tre persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën rëndë në Los Angeles kur një makinë u përplas me këmbësorët pranë një stacioni autobusi...
07:48 | 11/11/2026

Pse udhëheqësit kryesorë të BE-së po e anashkalojnë Samitin e Liderëve COP31?

Udhëheqësit e BE-së dhe botës do të takohen sot në samitin e OKB-së për klimën në Antalia , por disa figura kyçe do të mungojnë...
07:43 | 11/11/2026

Sulme me dronë në Rusi, porti i Ust-Lugës në flakë (VIDEO)

Një sulm me dron ukrainas ka shkaktuar zjarr në portin rus të Ust-Lugës në Detin Baltik , tha guvernatori rajonal në Leningrad. “Një hetim paraprak...
07:35 | 11/11/2026