Përpjekja për të nisur procedurën e shkarkimit (impeachment) ndaj kreut të Pentagonit dështoi që në hapat e parë. Me 211 vota pro dhe 204 kundër, republikanwt miratuan mocionin që bllokonte procedimin e rezolutës për shkarkimin përmes procedurës së fajësimit (impeachment), të paraqitur nga republikani Thomas Massie, i cili po largohet nga Kongresi. Nuk pati surpriza: deputetët votuan sipas qëndrimit të presidentit Donald Trump.

Pete Hegseth i shpëtoi procesit të shkarkimit, por pozicioni i tij mbetet i pasigurt. Në janar, kur Kongresi i ri do të ketë shumicë demokrate, nëse kreu i Pentagonit vazhdon të jetë në detyrë, mundësitë për nisjen e një procedure të re shkarkimi do të jenë konkrete.

“Të riparaqesim mocionet? Në këtë administratë ka kaq shumë persona që kanë kryer shkelje, sa është e vështirë të përcaktohet se nga duhet të fillojmë”, deklaroi demokratja Alexandria Ocasio-Cortez për CNN. “Do të ketë shumë hetime dhe ne duhet të ndjekim provat kudo që ato të na çojnë”.

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve u zhvillua dhjetë orë pas konferencës dramatike për shtyp të Hegseth, e para pas gjashtë muajsh. Pasi për muaj të tërë kishte këmbëngulur në të drejtën për t'u quajtur sekretar i Luftës, pavarësisht se Kongresi nuk e kishte autorizuar kurrë ndryshimin e emërtimit, Hegseth foli këtë herë si sekretar i Mbrojtjes.

Ai u shfaq për t'u mbrojtur nga kërkesa për shkarkim. Pas ndjekjes së konferencës për shtyp, Trump deklaroi: “Meriton notën 10 me yll, madje 10 me yll, yll, yll, për mënyrën se si u mbrojt nga sulmi i Massie, një dështak i vërtetë”.

Pas votimit, presidenti publikoi një postim në rrjetin social Truth për të festuar rezultatin: “Përpjekja e demokratëve dështoi. Çdo republikan, me përjashtim të Thomas Massie, një humbës i madh, votoi në mbështetje të Pete”.

“Demokratët vazhdojnë t'i përdorin Shtetet e Bashkuara si armë politike. Ata duhet të ndalen”, shtoi Trump.

Kreu i Pentagonit e kishte cilësuar nismën si një “farsë”, “sabotim” dhe “spektakël politik”, të vënë në skenë nga “egoja e një deputeti në ditët e fundit të mandatit të tij në Kongres”. Ai e kishte përshkruar gjithashtu si një “tallje me Kushtetutën” dhe një “sulm ndaj presidentit Trump”, duke këmbëngulur se do t'i bënte të gjitha përsëri “edhe nesër”.

Hegseth, i cili u shfaq i shqetësuar, rikonfirmoi besnikërinë ndaj Trumpit, duke kërkuar në fakt mbështetjen e tij. Ai vlerësoi shefin e ri të kabinetit, Stephen Miller, duke e cilësuar si “një nga miqtë më të mirë të Pentagonit”. Në prag të Ditës së Veteranëve, që festohet sot, ai përdori gjithashtu retorikën e “luftëtarëve” dhe u përpoq të rrëzonte akuzat e përfshira në tetë pikat e kërkesës për shkarkimin e tij.

Hegseth mbrojti luftën kundër Iranit, operacionet kundër karteleve të narkotrafikut dhe sulmet në Jemen, duke i cilësuar ato si “operacione të ligjshme, të urdhëruara nga komandanti i përgjithshëm dhe nga unë”.

“Sa i përket akuzës se forcat e armatosura amerikane shënjestrojnë civilët, kjo është një gënjeshtër dhe një fyerje për reputacionin e çdo profesionisti që ka fluturuar, lundruar dhe luftuar në këto misione”, kishte deklaruar ai.

“Asnjëra prej këtyre akuzave nuk përbën një shkelje të rëndë apo një kundërvajtje që justifikon shkarkimin. Bëhet fjalë për mosmarrëveshje politike partiake, të nxitura nga persona që duan t'i përdorin forcat tona të armatosura për qëllime politike”.

Kur një gazetar e pyeti për deklaratat e zëvendëspresidentit JD Vance, i cili kishte fajësuar luftën me Iranin për humbjen e thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, Hegseth u përgjigj me tone thumbuese, duke kujtuar se zëvendëspresidenti “ka qenë një pjesëtar kyç i ekipit në çdo aspekt të kësaj çështjeje dhe ne i jemi mirënjohës për të gjitha kontributet e tij”.

Me fjalë të tjera, edhe ai e mbështeti luftën.

“Por, fatmirësisht, politika nuk është fusha ime”, shtoi Hegseth.

Ai pretendoi se “asnjë sekretar i Luftës apo i Mbrojtjes nuk është përballur ndonjëherë me procedurë shkarkimi për zhvillimin e operacioneve ushtarake të ligjshme dhe, në rastin tonë, të suksesshme”.

Në fakt, në vitin 2004, Donald Rumsfeld, sekretar i Mbrojtjes në administratën e George W. Bush, u akuzua se kishte krijuar një klimë paligjshmërie në burgun e Abu Ghraib dhe për rolin e tij në luftën në Irak, e nisur mbi bazën e pretendimeve të rreme lidhur me armët e shkatërrimit në masë të Saddam Husseinit.

Rezoluta për nisjen e procedurës së shkarkimit ndaj Rumsfeld nuk arriti deri në votimin përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu siç ndodhi dje me rastin e Hegseth. Megjithatë, në rastin e këtij të fundit, duket se fjala e fundit ende nuk është thënë./La Repubblica