Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Karolinën e Jugut në SHBA, ku një foshnjë 11-muajshe u gjet e varrosur e gjallë brenda një kafazi qeni, më shumë se 24 orë pasi ishte zhdukur së bashku me të atin. Vogëlushi Koa Sharp u zbulua nga ekipet e kërkim-shpëtimit në një gropë të cekët në pyll, i mbyllur në kafaz, i mbështjellë me një peshqir dhe i mbuluar me dhe.

Sipas sherifit të qarkut Lexington, Jay Coon, foshnja kishte qëndruar nën tokë për rreth 24 orë përpara se të zbulohej. Autoritetet besojnë se kafazi mund t’i ketë siguruar hapësirën e nevojshme për të marrë frymë dhe për të mbijetuar gjatë gjithë kësaj kohe.

“Falë Zotit, kafazi ndoshta i siguroi atij ajër të mjaftueshëm për të mbijetuar 24 orët e fundit nën tokë”, deklaroi sherifi gjatë një konference për mediat.

Kërkimet për foshnjën nisën pasi ai u zhduk së bashku me babanë e tij, 25-vjeçarin Michael Comer. Sipas hetuesve, nëna e Comerit po kujdesej fillimisht për vogëlushin, por në mëngjes ia la përkohësisht të birit, deri në mbërritjen e dados që do të kujdesej për të. Megjithatë, kur ajo mbërriti, nuk gjeti as foshnjën dhe as babanë.

Zhdukja u raportua po atë pasdite, ndërsa më shumë se 100 efektivë nga agjenci lokale, shtetërore dhe federale iu bashkuan operacionit të kërkimit. Një alarm Amber, që përdoret në rastet e rrëmbimit të fëmijëve, nuk u aktivizua, pasi autoritetet nuk kishin të dhëna të mjaftueshme për automjetin e mundshëm të përdorur, përfshirë targën.

Gjatë kontrolleve në banesën e Comerit, hetuesit gjetën sendet personale të foshnjës, ndërsa të dyja dyert e shtëpisë ishin lënë hapur. Babai nuk ndodhej aty. Sipas sherifit, ai ishte parë në zona të ndryshme të qarkut, ku dyshohet se kishte kërkuar transport dhe kishte telefonuar taksi për të lëvizur nga një vend në tjetrin.

Më vonë gjatë natës, policia e gjeti 25-vjeçarin në një kasolle dhe e arrestoi për vjedhje me thyerje dhe rezistencë ndaj arrestimit.

Kërkimet vijuan edhe të martën, kur efektivët zgjeruan kontrollet në një zonë pyjore pranë banesës së tij. Aty vunë re dhe të sapopërzier dhe hala pishe, çka ngriti dyshimet se në atë vend mund të ishte hapur dhe mbuluar një gropë.

Kur nisën të gërmonin, policët dëgjuan të qarat e foshnjës që vinin nga nëntoka. Efektivët nxituan për ta nxjerrë dhe arritën ta shpëtonin nga kafazi ku ishte mbyllur dhe varrosur.

“Ai po bërtiste me gjithë shpirt, gjë që është një shenjë e mirë kur bëhet fjalë për foshnjat”, u shpreh sherifi, duke përshkruar momentet e gjetjes së vogëlushit.

Pavarësisht shpëtimit, gjendja e 11-muajshit mbetet kritike. Sipas autoriteteve, ai po lufton për jetën në spital, ndërsa sherifi shpreson që të arrijë të rikuperohet plotësisht.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb