Mesfushori i Napolit dhe i kombëtares së Skocisë, Scott McTominay, ka rrëfyer në një konferencë për shtyp se iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore në zemër vetëm dy ditë përpara ndeshjes së parë të Skocisë në Kupën e Botës 2026, kundër Haitit. Sipas tij, procedura kishte për qëllim t’i jepte zemrës një goditje elektrike për të korrigjuar ritmin e saj.
Ajo u krye nën anestezi të përgjithshme, shtoi ai. McTominay rrëfeu se kjo ndërhyrje në zemër erdhi në një moment kur ai ishte në formë të mirë. “M’u desh t’i nënshtrohesha një ndërhyrjeje për t’i dhënë një goditje elektrike zemrës sime,” deklaroi 29-vjeçari, duke shtuar se kjo ndodhi dy ditë para përballjes me Haitin.
Ai e përshkroi kontrastin mes përgatitjes dhe asaj që ndodhi: “Ke bërë një përgatitje të shkëlqyer, je në formë të mrekullueshme dhe papritur ndodh diçka e tillë.” I pyetur për gjendjen e tij në ato çaste, futbollisti tha se njeriu në një situatë të tillë e pyet veten: “Si mund të më ndodhte mua kjo?”
Megjithatë, McTominay mori miratimin mjekësor për të luajtur kundër Haitit, ndeshje të cilën Skocia e fitoi 3–0. Më pas ai mori pjesë edhe në ndeshjet kundër Marokut dhe Brazilit, të cilat përfunduan me humbje. “Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç do të dëshiroje,” vazhdoi ai.
Mesfushori pranoi se të gjendesh në një shtrat spitali dy ditë para ndeshjes së parë të Kupës së Botës, duke pritur për anestezi, nuk është aspak situatë ideale. Ai sqaroi se më herët gjatë sezonit ishte nënshtruar një ndërhyrjeje tjetër në zemër për të korrigjuar një aritmi të lehtë dhe beninje.
Pasi mori lejen mjekësore për të garuar, ai u rikthye të luante rregullisht për Napolin. Sipas tij, situata mund të duket shumë më serioze për mediat ose për familjarët dhe miqtë që kontaktojnë pasi dëgjojnë për një problem me zemrën. Në realitet, theksoi ai, ishte një procedurë relativisht e thjeshtë.
“Tani jam mirë,” përfundoi McTominay. “Ndihem shumë, shumë më mirë se më parë.” Ai theksoi se beson që ndërhyrja duhej bërë, pasi në karrierën e dikujt mund të ndodhin momente të tilla.
Skocezi shprehu kënaqësinë që është rikthyer të luajë futboll, të cilin e quajti gjënë më të rëndësishme në jetën e tij. “Për mua, ajo që ka më shumë rëndësi është të rikthehem gjithmonë më i fortë,” deklaroi ai.
