Një festim golash është kthyer në një çështje të nxehtë në Gjermani. Mesfushori i Borussia Dortmundit, Felix Nmecha, është vënë në qendër të polemikave pas mënyrës se si festoi dy golat e shënuar në përballjen ndaj Elversbergut.
Futbollisti gjerman vendosi mbi kokë një kurorë, duke imituar atë që njihet si simboli i “Kthimit të Mbretit”. Një gjest që shkaktoi reagime të shumta, veçanërisht nga vetë tifozët e Borussia Dortmundit.
Shkak për polemikat është edhe përkatësia e Nmecha-s në grupin fetar “Ballers in God”, të themeluar nga ish-futbollisti i Crystal Palace, John Bostock. Sipas një investigimi të fundit të televizionit gjerman ARD, ky grup është kritikuar për qëndrime të konsideruara homofobe dhe diskriminuese.
Reagimi i tifozëve të Dortmundit ka qenë i menjëhershëm. Shoqata e tyre ka kundërshtuar çdo qëndrim që bie ndesh me vlerat e tolerancës dhe respektit për diversitetin.
“Qëndrime të tilla janë në kundërshtim me vlerat e tolerancës dhe respektit për diversitetin që përfaqëson Borussia Dortmund”, ishte qëndrimi i tifozëve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e grupit “Ballers in God” janë përpjekur të hedhin poshtë akuzat, duke deklaruar: “Ne duam të tregojmë dashuri dhe respekt ndaj të gjithëve”.
As sqarimi i vetë Nmecha-s nuk ka arritur të shuajë polemikën. Mesfushori ka reaguar duke theksuar se gjithçka është keqkuptuar dhe se nuk ka pasur asnjë qëllim për të promovuar mesazhe urrejtjeje apo diskriminimi.
“Nuk ka pasur asnjë synim për të promovuar intolerancë, diskriminim apo urrejtje në çfarëdo forme”, ka deklaruar futbollisti.
