Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar mazhorancën se po bllokon qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar dhe pa u caktuar një datë për shqyrtim. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Këlliçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe shqyrtimin e paketës me katër nisma ligjore që lidhen me shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Paketën e Maleve dhe disa dispozita të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Duke u ndalur te ligji për Investimet Strategjike, deputeti i PD-së pretendoi se, pas 11 vitesh zbatim, 98% e kontratave u përkasin pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, ndërsa vetëm 2% lidhen me investitorë të huaj, mes të cilëve, sipas tij, edhe dy persona të afërt me kryeministrin Edi Rama.
Këlliçi e lidhi bllokimin e nismave të opozitës me problematikat e evidentuara në Raportin e Komisionit Europian, duke akuzuar mazhorancën për dobësim të kontrollit parlamentar, cenim të të drejtave kushtetuese të opozitës dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se katër nismat e opozitës duhet të ishin përfshirë në seancën e parë parlamentare dhe kërkoi që ato të shqyrtohen e të votohen në Kuvend.
Sipas Këlliçit, ligjet në fjalë krijojnë hapësira për favorizimin e interesave private në përdorimin e pronës, territorit dhe pasurive publike. Ai akuzoi gjithashtu se ligji për Investimet Strategjike është përdorur si instrument për pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit në bregdet.
Deputeti i PD-së kritikoi edhe funksionimin e Kuvendit, duke iu referuar Raportit të Komisionit Europian, i cili, sipas tij, evidenton probleme në kontrollin parlamentar, në respektimin e të drejtave të opozitës dhe në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, Këlliçi i bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit që të rikthejnë institucionin në funksionimin kushtetues dhe demokratik, duke mos e trajtuar atë si një institucion njëpartiak.
“Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste. Ju nuk mund t'i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private”, deklaroi Këlliçi, duke shtuar se institucionet duhet të funksionojnë në shërbim të qytetarëve dhe jo sipas interesave politike të mazhorancës.
Pjesë nga fjala e Belind Këlliçit në Konferencën e Kryetarëve
“Po vërej sërish se nismat e opozitës vazhdojnë të mbeten pa një datë shqyrtimi. Kjo do të thotë se ju po vijoni me të njëjtën sjellje të vjetër: duke mbajtur në sirtar çdo nismë të opozitës dhe duke mos i marrë ato në konsideratë.
Po jua rikujtoj edhe një herë se bëhet fjalë për një paketë të plotë ligjore, e cila përfshin:
-Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike.
-Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
-Shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve.
-Shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Këto nisma po i mbani peng. Ato duhej të ishin pjesë e seancës së parë parlamentare.
Dua ta theksoj qartë: këto nuk janë thjesht nisma të Partisë Demokratike. Ato pasqyrojnë kërkesa të drejtpërdrejta të institucioneve të Bashkimit Europian dhe lidhen drejtpërdrejt me kushtet për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Është tashmë e qartë se këto ligje janë problematike, favorizuese, të lidhura me interesa korruptive dhe në kundërshtim me normat demokratike dhe standardet e Bashkimit Europian.
Në të gjitha këto ligje gjendet i njëjti model: përdorimi i ligjit për të vënë pronën, territorin dhe pasuritë publike në funksion të interesave private. Një model që ushqen favorizimin, zhvatjen dhe pasurimin e paligjshëm, ndërsa shoqërohet me korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Dua të ndalem veçanërisht te Ligji për Investimet Strategjike.
Pas 11 vitesh zbatim, është faktuar tashmë se 98% e kontratave të përfituara përmes këtij ligji u përkasin pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, të cilët kanë marrë statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, vetëm 2% e vendimeve lidhen me investitorë të huaj dhe edhe këta janë dy persona të afërt me kryeministrin Edi Rama.
Pa përmendur këtu faktin se ky ligj është përdorur si instrument për pastrimin e parave të pista, veçanërisht në sektorin e ndërtimit në bregdet.
Prandaj, zoti Kryetar, është detyrimi juaj që këto nisma t'i përfshini në rendin e ditës dhe, madje, të dilni garant që ato të shqyrtohen dhe të votohen në Parlament.
Pse po e bëj këtë thirrje pikërisht sot?
Sepse kjo mbledhje vjen vetëm pak ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit Europian. Një raport që nxin Shqipërinë dhe, fatkeqësisht, në këtë tablo të errët përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Ndër problematikat e shumta, Raporti i Komisionit Europian evidenton dobësimin e kontrollit parlamentar. Dhe për këtë, zoti Kryetar, ju mbani përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Nuk mund të ketë demokratizim dhe as përparim në procesin e integrimit europian, kur mazhoranca, në shkelje të rregullave, ligjit dhe vetë Kushtetutës, e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet vetëm nga numrat dhe jo nga respektimi i Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit.
Raporti evidenton qartë:
-Mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
-Shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
-Moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Dhe këto janë vetëm disa prej problematikave të shumta që evidenton raporti.
Prandaj, të nderuar kolegë, kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste.
Ju nuk mund t'i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private. Nuk mund t'i përdorni ato sipas interesave tuaja politike dhe as të përjashtoni opozitën nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese.
E keni bërë këtë dhe për këtë arsye keni humbur besimin e qytetarëve. E keni bërë këtë dhe për këtë arsye keni marrë zemërimin e studentëve. E keni bërë këtë duke menduar se pushteti dhe institucionet janë pronë e juaja.
Por institucionet nuk janë pronë e askujt.
Dhe fundi politik i kësaj mënyre qeverisjeje tashmë dihet.”
© SYRI.net
Blushi debat me Peleshin dhe Ballën ne Konferencën e Kryetarëve: Tërhiqni urgjentisht aktet normative për ligjerimin e dhunës ndaj...
Surroi: Interesi personal i Ramës me Vuçiçin dëmtoi Kosovën, por edhe integrimin e Shqipërisë
Hetimet për Hysenin, Prençi: Ne jemi në NATO, ajo mund të këtë shitur informacion edhe tek shërbimet e huaja