Vendosni fjalën kyçe....

“Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore”, –Blushi kërkon tërheqjen e akteve normative



Debate me tone të ashpra janë zhvilluar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar tërheqjen urgjente të akteve normative që lidhen me reagimin ndaj protestave të studentëve.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të mazhorancës, Blushi deklaroi se përfshirja e këtyre akteve në kalendarin parlamentar tregon, sipas tij, vullnetin për të vijuar qeverisjen përmes dhunës.

“Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeagjenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve”, u shpreh ai.

Deputeti i PL-së kritikoi edhe heshtjen e drejtuesve të Kuvendit ndaj asaj që e cilësoi dhunë ndaj studentëve. Ai tha se kjo situatë po dënohet edhe nga eurodeputetë, ndërsa kryetari i Kuvendit, sipas tij, nuk ka reaguar.

“Po dëshmoni jo vetëm se jeni përgjegjës për krizën, por edhe nxitës të përshkallëzimit të saj”, deklaroi Blushi.

Më tej, ai përdori tone të ashpra ndaj shumicës parlamentare, duke e akuzuar se synon të qeverisë me forcë.

“Futja e akteve normative dëshmon natyrën kriminale të kësaj shumice që kërkon të qeverisë me shkopinj e plumba gome”, tha deputeti.

Debati vijoi me Reformën Zgjedhore, ku Blushi u përplas me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Deputeti i PL-së e akuzoi Ballën se qëndrimi i tij ndaj reformës dëshmon se, sipas tij, me Edi Ramën nuk mund të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Me qëndrimin tënd për Reformën Zgjedhore provove se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, iu drejtua Blushi Ballës, të cilin më pas e cilësoi “një provokator të ulët që mbron në Kuvend interesat e klaneve kriminale”.

Sa i përket reformës, Blushi kërkoi që agjenda e komisionit të përqendrohet në tri çështje: hapjen 100% të listave zgjedhore, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjen e Presidentit nga populli.

“Kryeagjenda e Komisionit të Reformës të jetë vetëm hapja 100% e listave, Qeveria Teknike dhe President nga populli”, theksoi ai.

Në përfundim, deputeti kundërshtoi përzgjedhjen e deputetëve nga kryetarët e partive, duke kërkuar që ata të marrin mandatin drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.

“Boll më me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive. Duhet t’i zgjedhë populli”, përfundoi Blushi.