Deputetët do të mësojnë për Bashkimin Europian dhe vlerat e BE përmes librave të blerë nga Kuvendi.

Kuvendi i Shqipërisë kërkon një fond prej 500 mijë lekësh në buxhetin e vitit 2027 për blerjen e librave fizikë dhe digjitalë, të cilët do të jenë në dispozicion të deputetëve dhe administratës parlamentare.

Kërkesa është përfshirë në dokumentin zyrtar të administratës së Kuvendit, drejtuar kryetarit Niko Peleshi, Byrosë së Kuvendit dhe Sekretariatit për Buxhetin, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2027.

Sipas dokumentit, fondi do të përdoret për pasurimin e Bibliotekës së Kuvendit me literaturë të specializuar, kryesisht në fushën e së drejtës, politikave të Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

“Blerjet do të përqendrohen në literaturën në gjuhë të huaj, me tituj që mbulojnë fusha të ndryshme të së drejtës, politikave dhe integrimit europian”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Sipas administratës së Kuvendit, përzgjedhja e librave do të bëhet në përputhje me prioritetet dhe nevojat e identifikuara nga shërbimi i Bibliotekës së Kuvendit.


Lajmi kryesor:

Report Tv zbardh kërkesën/ Kuvendi kërkon mbi 40 milionë lekë për projektin 'Media Hub', platforma e re digjitale për inteligjencën artificiale dhe punimet parlamentare