Një aksident rrugor me përmasa katastrofike ka tronditur Bullgarinë, ku një seri përplasjesh masive në autostradën Trakia ka shkaktuar, sipas raportimeve, 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Ngjarja e rëndë është regjistruar pranë qytetit të Jambolit, në një prej akseve më të rëndësishme rrugore të vendit, që lidh kryeqytetin Sofje me qytetin bregdetar të Burgasit.

Në aksident raportohet se janë përfshirë 86 automjete, të cilat janë përplasur njëra pas tjetrës në të dyja drejtimet e autostradës, duke shkaktuar një situatë kaotike dhe duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Bilanci i raportuar është tragjik. Përveç 11 personave që kanë humbur jetën, 51 të tjerë kanë përfunduar në spital për të marrë trajtim mjekësor. Prej tyre, 13 ndodhen në gjendje të rëndë, sipas të dhënave që i atribuohen Ministrisë bullgare të Shëndetësisë.

Mjegulla e dendur dhe pamundësia e drejtuesve të mjeteve për të dalluar në kohë automjetet përpara tyre dyshohet se kanë qenë ndër faktorët kryesorë që çuan në përplasjet zinxhirore.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë dalë ende në një përfundim përfundimtar mbi shkaqet. Hetimet janë përqendruar edhe te kushtet e rrugës, sinjalistika dhe shpejtësia me të cilën po qarkullonin automjetet.

Përmasat e tragjedisë kanë kërkuar mobilizimin e strukturave të emergjencës, ndërsa sipas raportimeve janë angazhuar edhe mjete ajrore ushtarake për transportimin e personave të plagosur drejt spitaleve.

Në reagimin e tij, Rumen Radev ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e faktorëve që çuan në këtë ngjarje me pasoja kaq të rënda.

Ndërkohë, sipas informacionit të publikuar, në Bullgari është shpallur zi kombëtare në nderim të viktimave.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e përplasjeve dhe përgjegjësitë e mundshme për një nga aksidentet më të rënda të raportuara në vend.