Kombëtarja në përballjen me Finlandën, bilanci flet për skuadrën skandinave Sorloth është një lojtar që pëlqehet nga Juventusi dhe trajneri Spalletti, kjo është pak, por e sigurt. Megjithatë, ai nuk është objektivi i vetëm i Zonjës së Vjetër për sesionet e ardhshme te merkatos me klubin torinez që kërkon të përforcojë një repart ofensiv që po vuan mungesën e golave.
Kolo Muani duhej të ishte njeriu që do t’i jepte një shtysë sulmit dhe do të rriste rendimentin para portës, por deri më tani ka zhgënjyer në këtë drejtim, ndonëse kohët e fundit po tregon angazhim të madh në rolin e sulmuesit mbështetës. As Woltemade nuk është një qendërsulmues tipik, dhe pikërisht kjo është një mangësi e ndjeshme për një skuadër ku golashënuesi më i mirë është Bremer.
Përveç norvegjezit të Atletico Madridit, te Juventusi po shqyrtohet seriozisht edhe alternativa e Tresoldit, zbulimit të këtij sezoni në Ligën e Kampioneve. Milani ka bërë tashmë lëvizjet e para për sulmuesin e Club Brugge, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Por, numri i golave të shënuar prej tij gjatë një viti e gjysmë në Belgjikë ka zgjuar interesimin edhe të disa klubeve të tjerë të rëndëishëm evropianë si Chelsea, Bayerni i Mynihut dhe Manchester City. Ndërkaq, Chelsea ka nisur të mendojë për përfitimin financiar nga shitja e tij, duke vendosur si çmim bazë vlerën prej 50 milionë eurosh. Në këtë pikë për Carnevalin dhe bashkëpunëtorët e tij, e rëndësishme është të lëvizin më herët në kohë dhe të mos mbeten pas në garë.
Lëvizja më herët në kohë do të thotë, mbi të gjitha, të përpiqesh t’i japësh një drejtim më të qartë këtij sezoni që në merkaton e janarit. Një nga emrat e mundshëm për fillimin e vitit është ai i Reteguit, i cili do të rikthehej me kënaqësi në Itali për të rifituar një vend në kombëtare. Aktualisht ai aktivizohet te Al-Qadisiyya në Arabinë Saudite dhe mund të transferohet në Torino në formë huazimi. Problemi që duhet zgjidhur mbetet paga e tij shumë e lartë, që përfiton në kampionatin saudit.
Spalletti, nga ana tjetër, iu ka dhënë tashmë miratimin drejtuesve të klubit edhe për të tentuar me çdo kusht transferimin e Scamaccas. Trajnerit i mungon një qendërsulmues me fizik të fuqishëm, që të dijë të duelojë me mbrojtësit kundërshtarë, të mbajë topin dhe të ndihmojë skuadrën të ngjitet përpara, duke i krijuar mundësinë të përdorë edhe topat e gjatë. Duke qenë se nuk e ka të garantuar një vend titullari në Bergamo, kjo pistë konsiderohet më se e realizueshme. Pëlqehet shumë edhe sulmuesi amerikan Folarin Balogun. Ai u bë pjesë e kronikave jashtë fushës së futbollit verën e kaluar, kur Trump u përpoq të ndryshonte çdo logjikë rregullatore për t’i mundësuar praninë në ndeshjen kundër Belgjikës në Kupën e Botës. Sulmuesi i Monacos është një nga lojtarët më të kërkuar të Ligue 1. Spallettit i pëlqen jashtëzakonisht shumë, sepse, përveç cilësive fizike dhe nuhatjes për gol, ai zotëron edhe shpejtësi dhe dinamizëm të admirueshëm në sulmin e portës kundërshtare.
Top Channel