Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Scott Bessent është zhvendosur nga rezidenca e tij në Washington, DC, në një bazë ushtarake amerikane, pas kërcënimeve të dyshuara nga Irani ndaj jetës së tij.
Shqetësimet për sigurinë e zyrtarëve amerikanë janë shtuar pasi një zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën Trump paralajmëroi, në një memorandum të muajit të kaluar, se planet e dyshuara iraniane kundër personelit dhe qytetarëve amerikanë kishin arritur në një fazë të avancuar.
Sipas mediave britanike Bessent ka udhëhequr që prej muajit gusht fushatën amerikane të sanksioneve dhe presionit ekonomik ndaj Iranit, të njohur si “Operation Economic Outcast”. Kjo fushatë synon të detyrojë Teheranin t'u japë fund sulmeve ndaj transportit detar dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, e cila ka qenë kryesisht e mbyllur që prej sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.
Masat amerikane, të cilat shoqërohen edhe me një bllokadë detare ndaj porteve iraniane, përfshijnë sanksione ndaj bankave dhe kompanive financiare në Lindjen e Mesme që lehtësojnë transaksionet me Iranin.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Thesarit deklaroi se Bessent nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve iraniane dhe do të vazhdojë zbatimin e politikës së presionit ekonomik ndaj Teheranit.
“Sekretari nuk do të frikësohet nga kërcënimet e regjimit iranian dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e operacionit ‘Economic Outcast’ dhe në ruajtjen e bllokadës, të cilat së bashku po çojnë drejt kolapsit ekonominë e Iranit”.- tha ai.
Sipas “The New York Times”, ende nuk është bërë e qartë se sa serioze janë kërcënimet ndaj sekretarit amerikan të Thesarit.
Ndërkohë, Irani ka mohuar më parë se po planifikon sulme ndaj zyrtarëve apo qytetarëve amerikanë në territorin e SHBA-së. Sipas gazetës amerikane, zyrtarët e inteligjencës vlerësojnë se aftësitë e Iranit për të organizuar sulme në shkallë të gjerë brenda SHBA-së dhe në territore të tjera jashtë vendit janë të kufizuara.
Lufta në rajon ka shkaktuar mijëra viktima dhe zhvendosjen e miliona njerëzve, si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe sulmeve izraelite në Liban.







Komente
Komento