Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj i ka kërkuar PS-së dhe SPAK-ut të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve. I pyetur nëse PS-ja do t’i kërkojë leje SPAK-ut që Veliaj të flasë në mbledhje, Taulant Balla tha se kjo pyetje i takon sekretarit të përgjithshëm të partisë.

Balla tha se e ka mik Veliajn, por se ai duhet të përballet vetë me drejtësinë, pa përfshirë PS-në, e cila, sipas tij, nuk është mburojë e askujt.

Gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj: Veliaj ka bërë kërkesë në PS dhe në SPAK për të marrë pjesë në Asamble. A do t’i kërkoni SPAK-ut leje që kryetari i Tiranës të flasë?

Taulant Balla: Kjo është një pyetje që i duhet bërë sekretarit të përgjithshëm. Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së.

Gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj: Veliaj s’ka kërkuar mbrojtje për akuzat. Ka kërkuar të marrë pjesë si kryetar i partisë në Tiranë, drejtues politik në qark dhe kryebashkiak. Po kërkon të ushtrojë të drejtën e tij politike për të folur para jush.

Taulant Balla: Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar, në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut. Për sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është në shkelje të parimeve themelore dhe të vendimit të Gjykatës Europiane. Përballjen me drejtësinë çdo përfaqësues i PS-së e ka më vete. S’bëhemi mburojë. Çdo përfaqësues të mos përfshijë organet e PS-së. Këto vendime i marrin organet e drejtësisë.

Lajmi në përditësim....