“30 nëntori është afati i fundit i PD për Reformën Zgjedhore”, Balla pas Konferencës së Kryetarëve: Do ta miratojmë me apo pa opozitën

11/11/2026 11:15

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për Reformën Zgjedhore.

Pas Konferencës së Kryetarëve, ai renditi katër çështjet kryesore: depolitizimin e komisioneve zgjedhore, mbulimin mediatik të fushatave, përfshirjen e administratës në zgjedhje dhe financimin e partive politike. Balla kërkoi dakordësi për ndryshimet ligjore, duke rikthyer në vëmendje edhe formulën e depolitizimit të diskutuar në vitin 2020.

“Ju jeni dëshmitarët më të shpeshtë të komunikimeve tona publike, ku janë thënë angazhimet për të pasur një reformë zgjedhore.

Për reformën zgjedhore, e para është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar 6 vite dhe mund ta kishim bërë këtë. Nuk mund ta kenë vetëm PS dhe PD kontrollin e plotë të procesit, nuk mund të kemi nga një përfaqësues për parti.

E dyta është çështja që lidhet me përfshirjen e administratës në zgjedhje. Edhe kjo duhet adresuar, për të cilën, siç e tha Gjiknuri, nëse opozita nuk do ta adresojë, qeveria do të ndërhyjë me vendime të Këshillit të Ministrave.

E treta është pjesa e financimit të partive. Këtu jemi pa fjalë. Unë jam këtu që nga viti 2017. Një draft është gati që në 2017. Do të mund t’ju sot them që drafti është pothuajse gati. Ne nuk do të shpikim rrotën, por do të marrim shembujt më të mirë nga shtetet e tjera që përshtaten me situatën aktuale në Shqipëri. Ka pasur dhe një lexim nga Komisioni i Venecias. Nuk ka ekspertizë më të mirë se Komisioni i Venecias.

Por PD ka një muaj që ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe unë i ftoj që të heqin dorë nga bojkoti dhe të vijojmë jetën normale parlamentare. Kur vjen në Kuvend, nxjerr flakadan dhe godet me bidona kryetarin e Kuvendit, përjashtohesh. Kjo ndodh në çdo shtet.

U bëj thirrje të reflektojnë, që nga seanca e ardhshme për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, më i madhi në historinë e vendit, prej 10 miliardë eurosh.

Ulet TVSH-ja nga 20 në 6%, gjë që do të ketë impakt të madh.

Data 30 nëntor është afati i fundit i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk do të ketë shtyrje. Për ligjin e financimit nuk thuhet askund që duhet të miratohet me konsensus. Konsensusi është 84 vota në Kuvend dhe ne i kemi këto 84 vota. Pas 30 nëntorit ne do ta miratojmë, duan apo s’duan ata. Askush nuk e ndalon dot agjendën e Shqipërisë drejt BE-së.

Unë ende shpresoj që do të ketë një reflektim nga PD-ja, si forca më e madhe opozitare. Por duhet të kuptoni që ligji i financimit të partive duhet të miratohet brenda Krishtlindjeve nga Parlamenti. Po deshët, hajdeni t’ua tregoj në zyrën time.

Imagjinoni tani, Sali Berisha vjen dhe merr formën e një studenti 82-vjeçar, që të duket sikur po përfaqëson protestën. Këto lojëra me ne nuk i bëjnë dot”, tha Balla.

Top Channel