Punonjësit e taksive kanë dalë sot në protestë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë dhe Sindikata e Transportit Taksi për Rrethin e Tiranës kanë paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Ministrisë së Transportit dhe Bashkisë së Tiranës, duke paralajmëruar se në mungesë të një reagimi konkret, protesta do të përshkallëzohet.
Sekretari i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Taksi në Shqipëri, Arjan Kazo, u shpreh se shtimi i numrit të mjeteve taksi, konkurrenca e pabarabartë, automjetet e palicencuara dhe rritja e kostove kanë rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të taksistëve dhe familjeve të tyre.