Elseid Hysaj vijon të jetë në kërkim të një skuadre të re, pasi që prej 30 qershorit është futbollist i lirë, pas përfundimit të kontratës me Lazion. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk ka arritur ende të gjejë një sistemim, pavarësisht interesimit të disa klubeve gjatë muajve të fundit.
Sipas raportimeve nga Italia, një prej skuadrave që shqyrtoi mundësinë e transferimit të 32-vjeçarit ishte Lecce. Klubi nga Pulia u interesua për shërbimet e tij në fund të verës, por negociatat nuk avancuan për shkak të kërkesave financiare të futbollistit, të cilat nuk përputheshin me kushtet ekonomike të drejtuesve.
Një tjetër mundësi u shfaq në vjeshtë, këtë herë te Bologna. Pas dëmtimit të rëndë të Holm, skuadra emiliane nisi të kërkonte alternativa në tregun e futbollistëve të lirë. Hysaj ishte një prej emrave të konsideruar, por në fund drejtuesit preferuan Matteo Darmianin.
Fillimisht, kishte disa dyshime për gjendjen fizike të mbrojtësit shqiptar, por pas kontrolleve të mëtejshme mjekësore u vendos të ndiqej një tjetër alternativë. Ndërkohë, interesim për Hysajn ka pasur edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por dëshira e futbollistit është të vazhdojë karrierën në Europë.
Në pritje të ofertës së duhur, ish-mbrojtësi i Lazios po vazhdon të stërvitet në Monteboro, së bashku me ekipin e të rinjve të Empolit. Pavarësisht mungesës së një kontrate, Hysaj mbetet pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare, ndërsa e ardhmja e tij në nivel klubesh vijon të jetë e paqartë.

