E trishtë! Ndahet nga jeta balerini dhe koreografi shqiptar, në moshën 37-vjeçare
Bota e artit shqiptar dhe ajo ndërkombëtare janë në zi pas lajmit për ndarjen e parakohshme nga jeta të balerinit dhe koreografit shqiptar Leander Veizi. Artisti, i cili ishte vetëm 37 vjeç, ndërroi jetë papritur këtë javë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Turizmit, e cila ka shprehur ngushëllimet për humbjen e artistit shqiptar, i cili prej vitesh kishte ndërtuar karrierën e tij në skenat prestigjioze të Evropës.
Leander Veizi lindi në vitin 1989 dhe përfundoi studimet për balet në Tiranë. Më pas, ai vijoi formimin artistik në shkollën “Scuola del Balletto di Toscana” në Itali.

Në vitin 2011 iu bashkua kompanisë Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart, për të vijuar më pas karrierën në Ballett Vorpommern dhe Tanz Theater Münster.
Përveç interpretimit në skenë, Veizi u angazhua edhe në koreografi, me krijime që u prezantuan në institucione të njohura artistike, përfshirë Teatrin Gallus në Frankfurt dhe teatrot Vorpommern e Münster.
Që nga sezoni 2022/2023, ai ishte pjesë e Teatrit Shtetëror të Regensburgut në Gjermani, ndërsa prej marsit të këtij viti mbante detyrën e drejtorit artistik të kompanisë së kërcimit të këtij institucioni.
Ndarja e tij e papritur nga jeta përbën një humbje të madhe për komunitetin artistik, ndërsa karriera dhe kontributi i tij në artin e kërcimit do të mbeten pjesë e trashëgimisë së tij artistike.
/vizionplus.tv




