Tronditet bota e futbollit/ Lojtari vdes në një aksident me motor
Ish-mesfushori Fábio Matos ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare, pas një aksidenti të rëndë me motor në Brazil.
Ngjarja tragjike ndodhi të hënën, më 9 nëntor, në zonën e São José de Ribamar, pranë qytetit São Luís, në shtetin e Maranhão. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u konfirmua të martën nga ish-klubi i tij, Sport Recife.
Fábio Matos ishte formuar në akademinë e Sport Recife, klub ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist në vitin 2016. Me fanellën e kësaj skuadre, ai fitoi edhe kampionatin shtetëror të Pernambuco në vitin 2017.
Gjatë karrierës së tij, mesfushori veshi gjithashtu fanellat e skuadrave si Náutico, Paysandu, Juventude dhe Londrina. Së fundmi, ai ishte pjesë e Olímpia-MA, me të cilën këtë sezon kontribuoi në fitimin e kampionatit të kategorisë së dytë të Maranhão dhe sigurimin e ngjitjes në elitë.
Lajmi ka prekur klubet ku ai ishte aktivizuar. Sport Recife, Náutico dhe Paysandu kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën futbollistin.
Një jetë e ndërprerë shumë herët dhe një humbje e dhimbshme për futbollin brazilian.




