Vritet me armë zjarri 39-vjeçari shqiptar në Spanjë, autori u largua me monopatinë elektrike
Një 39-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në zonën bregdetare të Orihuela, në provincën e Alicantes, në Spanjë. Autori i dyshuar, i cili lëvizte me monopatinë elektrike, është larguar menjëherë pas krimit dhe deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
Ngjarja ka ndodhur të hënën pasdite, pranë një qendre sportive.
Sipas mediave spanjolle, viktima është një shtetas shqiptar 39 vjeç. Ndihma e shpejtë mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht 39-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili u largua me të njëjtën monopatinë elektrike me të cilën kishte mbërritur në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 39-vjeçarit pritet t’i nënshtrohet autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante, për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes.
Deri më tani, autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë detaje mbi motivet e atentatit.




