E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Kërkoi të marrë pjesë në Asamblenë e PS, Balla-Veliajt: Përballu me drejtësinë
Lajme

Kërkoi të marrë pjesë në Asamblenë e PS, Balla-Veliajt: Përballu me drejtësinë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, që pritet të zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor. Balla ia ka kaluar përgjegjësinë për vendimmarrjen Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Blendi Klosi, duke theksuar se çështja duhet të trajtohet nga strukturat përkatëse të PS-së.

Gjatë një prononcimi për mediat, Balla deklaroi se përballja me drejtësinë e çdo përfaqësuesi të zgjedhur socialist është çështje individuale dhe se Partia Socialiste nuk mund të shërbejë si mburojë për askënd. Ai pranoi se Veliajn e konsideron mik, por nënvizoi se kryebashkiaku duhet të përballet vetë me organet e drejtësisë, pa përfshirë partinë në këtë proces.

“Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së”, u shpreh Balla.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së e cilësoi si “nonsens” kohëzgjatjen e paraburgimit të Veliajt. Sipas tij, mbajtja në paraburgim pasi çështja ka kaluar për gjykim bie ndesh me parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe me vendimet e Gjykatës Europiane.

“Kjo është një pyetje që i duhet bërë sekretarit të përgjithshëm. Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se çdo përfaqësues socialist duhet t’i trajtojë personalisht çështjet që ka me drejtësinë, ndërsa vendimmarrja për to u takon ekskluzivisht organeve gjyqësore.

Veliaj kërkoi leje nga SPAK dhe PS për të marrë pjesë në Asamble

Një ditë më parë, Erion Veliaj iu drejtua zyrtarisht SPAK-ut dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, me kërkesën për t’u lejuar të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Kryebashkiaku kërkoi që, në rast se prania fizike nuk mund të realizohet, t’i mundësohet pjesëmarrja përmes videokonferencës.

Kërkesa vjen në një moment kur përplasjet brenda Partisë Socialiste janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Veliaj ka artikuluar publikisht akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, pas raportimeve për një vizitë të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e paraburgimit në Fier.

Fillimisht, pretendimet se Gogu kishte përcjellë kërkesa në emër të kryeministrit u raportuan si informacione të pakonfirmuara. Më pas, vetë Veliaj i konfirmoi publikisht këto pretendime dhe drejtoi akuza ndaj Ramës, duke e thelluar përplasjen politike mes tyre.

Asambleja e PS-së në Gjirin e Lalzit, në prag të zgjedhjeve vendore

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste pritet të mbahet të shtunën, më 14 nëntor, në orën 10:00, në një resort në Gjirin e Lalzit.

Në fokus të diskutimeve pritet të jetë organizimi i strukturave partiake dhe përgatitjet për procesin e ardhshëm zgjedhor, në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

Takimi zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa në javët e fundit vendi është përfshirë nga protesta studentore, të shoqëruara me përplasje me policinë, incidente dhe akte dhune. Në këtë kontekst, mbledhja e socialistëve pritet të shërbejë edhe si një test për qëndrueshmërinë e strukturave të partisë përballë zhvillimeve të fundit politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.