Vlora e para në vend për divorcet, psikologët: Fenomen shqetësues, problemi më i madh janë traumat te fëmijët
Divorcet po kthehen në një shqetësim për shumë familje, ndërsa sipas të dhënave të INSTAT-it, qarku i Vlorës renditet i pari për normën e çifteve të ndara, me 22 të divorcuar në 1 mijë banorë.
Avokatja Luljeta Çunaj thotë se ndër shkaqet kryesore të zgjidhjes së martesës janë mungesa e komunikimit dhe mirëkuptimit, konfliktet e vazhdueshme, dhuna fizike dhe psikologjike, tradhtia bashkëshortore, si dhe emigracioni.
Sa i përket grupmoshave, avokatja thekson se divorcet prekin si çiftet e reja, ashtu edhe ata që kanë kaluar dekada së bashku.
“ Kemi divorce të moshave të reja, mbi 25 vjeç, që mund të ndahen pas një apo dy vitesh martesë për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të lindin. Por kemi edhe çifte që kanë vite bashkë, të cilët, për hatër të fëmijëve apo mentalitetit, e kanë mbajtur martesën me zor për vite me radhë, derisa vjen një pikë që nuk durojnë më”, thotë avokatja.
Një ndër çështjet më delikate gjatë proceseve të divorcit mbetet kujdestaria e fëmijëve.
“Gjykata merr në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, gjendjen e tij psiko-emocionale, kushtet e jetesës dhe mundësitë ekonomike të prindërve. Në këtë proces përfshihet edhe psikologu, ndërsa përcaktohen detyrimet që secili prej prindërve do të ketë ndaj fëmijës pas zgjidhjes së martesës”, sqaron avokatja.
Përtej aspektit ligjor, divorci sjell edhe pasoja emocionale, veçanërisht te fëmijët. Psikologia Elona Toçi thotë se ndarja e prindërve mund të shkaktojë ankth, stres, izolim dhe ulje të vetëbesimit.
“Konfliktet mes bashkëshortëve dhe mënyra se si menaxhohet procesi i divorcit ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të fëmijëve. Ata mund ta përjetojnë ndarjen e prindërve sikur të jenë vetë fajtorë për prishjen e martesës”, thotë Toçi.
Në një kohë kur Vlora renditet e para për numrin e personave të divorcuar, specialistët theksojnë rëndësinë e përgjegjësisë prindërore edhe pas përfundimit të martesës.
Ndarja e çiftit nuk duhet të nënkuptojë shkëputjen nga detyrimet ndaj fëmijëve, të cilët kanë nevojë për përkujdesje, mbështetje dhe siguri emocionale nga të dy prindërit.




