Një tjetër aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në fshatin Fshat, në Bashkinë e Klosit, në aksin që lidh Matin me Rrugën e Arbrit.
Dy automjete, një tip Mercedes-Benz dhe një Volksvagen Sharan, janë përplasur kokë më kokë, vetëm pak metra larg rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit. Përplasja ka qenë mjaft e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në të dyja automjetet, të cilat kanë përfunduar pothuajse të shkatërruara.
Si pasojë e aksidentit, disa persona kanë mbetur të lënduar, por fatmirësisht paraprakisht raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën, raporton gazetari Enver Doçi.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Dyshimet paraprake janë se lagështia në rrugë mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjeteve.
Ky segment rrugor po kthehet në një shqetësim serioz për drejtuesit e mjeteve. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar të paktën gjashtë aksidente në këtë aks, fatmirësisht pa pasoja fatale.
Problematika e këtij aksi është ngritur vazhdimisht që prej ndërtimit të tij. Sipas ekspertëve, një ndër faktorët që ndikon në aksidentet e përsëritura është sipërfaqja e asfaltit, e cila bëhet veçanërisht e rrëshqitshme gjatë reshjeve të shiut.
