Një 19-vjeçar është arrestuar në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka vjedhur dy herë para nga arka e një objekti kulti në lagjen “Partizani”. Ajo që e bën më të veçantë rastin është se i riu kishte përfunduar vetëm një javë më parë dënimin me burgim për veprën penale të vjedhjes.

Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se vjedhjet janë kryer mbrëmjet e datave 8 dhe 9 nëntor, kur nga arka e objektit të kultit janë marrë shuma parash. Pas kallëzimit të administratorit të institucionit fetar, shërbimet e policisë nisën menjëherë hetimet, duke bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorit të dyshuar.

Në kuadër të operacionit të koduar “Arka”, në pranga ra 19-vjeçari K. Ll., banues në Gjirokastër. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore nëse i riu është autor edhe i vjedhjeve të tjera.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb