“Ne kemi ardhur për t’ju shkatërruar”/ Alarm për bombë në rreth 300 shkolla në Itali, evakuohen nxënësit dhe stafi, Meloni thërret mbledhje urgjente
Një valë kërcënimesh për sulme me bombë ka vënë në alarm dhjetëra qytete në Itali, pasi rreth 300 shkolla kanë marrë një email anonim që pretendonte se në ambientet e tyre ishin vendosur eksplozivë. Për arsye sigurie, nxënësit, mësuesit dhe personeli janë evakuuar, ndërsa policia dhe ekipet antieksplozivë po kryejnë kontrolle në institucionet e prekura. (Foto: Ansa)
Mesazhi kërcënues, i dërguar në shkolla të ndryshme në të gjithë vendin, përmbante gjuhë ekstremiste dhe kërcënime të drejtpërdrejta. Në email, i cili mbante firmën e një personi që prezantohej si Mikhail Antropov, pretendohej se ishte vendosur një bombë në një ndërtesë shkollore, brenda një qeseje plastike dhe me mekanizëm shpërthimi në distancë.
“Ne kemi ardhur për t’ju shkatërruar. Do të kryejmë një gjenocid kundër italianëve”, thuhej në mesazh. Dërguesi kërcënonte gjithashtu kryeministren Giorgia Meloni, duke pretenduar se kishte vendosur një bombë në motorin e automjetit të saj.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, bëri të ditur se rreth 300 shkolla në të gjithë Italinë kishin marrë mesazhin, ndërsa numri mund të rritet më tej. Ai u përpoq të qetësonte opinionin publik, duke vënë në dukje se përhapja e kërcënimeve në një numër kaq të madh institucionesh e bën të ulët besueshmërinë e rrezikut. Megjithatë, theksoi se kontrollet dhe masat e sigurisë duhet të vijojnë.
Pas përhapjes së kërcënimeve, Meloni ka thirrur një mbledhje në orën 16:00 në Palazzo Chigi, selinë e qeverisë italiane. Në takim pritet të marrin pjesë zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, ministrat Matteo Piantedosi dhe Guido Crosetto, si dhe drejtues të shërbimeve të inteligjencës dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, paralajmëroi se kërcënimet mund të jenë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar panik, por kërkoi që të mos përjashtohet as mundësia e veprimeve të individëve që synojnë të shkaktojnë terror.
“Strategjia është të krijohet shqetësim. Është shumë e lehtë që kushdo, me mjetet që kemi sot, t’i dërgojë një email një shkolle, një kopshti apo një kompanie ajrore dhe të thotë se ka bombë”, u shpreh ai.
Crosetto shtoi se jo çdo rast duhet të lidhet domosdoshmërisht me veprimtari të shteteve të huaja apo me operacione armiqësore, pasi pas këtyre mesazheve mund të qëndrojnë edhe persona që kërkojnë vëmendje ose synojnë të përhapin frikë.
Ndërkohë, kontrollet janë shtrirë në disa rajone të vendit, përfshirë Romën, Milanon, Napolin, Venecian, Genovën, Toskanën dhe Sicilinë. Në disa qytete janë evakuuar dhjetëra institucione, ndërsa në raste të tjera mësimi është pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e verifikimeve.
Në Umbria, kontrollet në disa shkolla kanë rezultuar negative, ndërsa policia postare po heton origjinën e mesazheve. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një veprim të koordinuar dhe kush qëndron pas dërgimit masiv të kërcënimeve.
Një episod i ngjashëm ishte regjistruar edhe në ditët e mëparshme, kur një mesazh elektronik me kërcënime ishte dërguar te 280 drejtues shkollash.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




