Është zbardhur identiteti i shqiptarit që humbi jetën pas një sulmi me armë zjarri në Orihuela Costa, në provincën Alicante të Spanjës. Viktima është Luka Beqiraj, 39 vjeç, me origjinë nga Vlora, i cili u qëllua për vdekje mesditën e së martës.
Krimi ndodhi në tarracën e një lokali brenda kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club, ku shqiptari ndodhej në momentin që u sulmua nga një person ende i paidentifikuar.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat spanjolle, autori dyshohet se ka mbërritur pranë lokalit duke përdorur një patinë elektrike. Pasi i është afruar vendit ku ndodhej 39-vjeçari, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij.
Menjëherë pas sulmit, agresori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, sërish me patinën elektrike, duke arritur t’i shpëtojë kapjes nga autoritetet.
Të shtënat kanë shkaktuar alarm në zonë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipet e emergjencës mjekësore dhe forcat e sigurisë.
Pavarësisht ndërhyrjes së personelit shëndetësor dhe përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, Luka Beqiraj nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shkaktuara nga plumbat.
Pas krimit, Guardia Civil ka nisur hetimet për të identifikuar autorin dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat ndodhi vrasja.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është ajo e një atentati të mundshëm të lidhur me konflikte kriminale apo larje hesapesh. Megjithatë, autoritetet spanjolle nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht motivin e sulmit.
Vëmendja e hetuesve është përqendruar te rindërtimi i lëvizjeve të autorit, si përpara mbërritjes në kompleksin sportiv, ashtu edhe pas largimit nga vendngjarja.
Ndërkohë, autopsia e trupit të viktimës është parashikuar të kryhet të mërkurën, për të përcaktuar më në detaje rrethanat mjekoligjore të vdekjes.
Autoritetet spanjolle vijojnë kërkimet për kapjen e personit që dyshohet se kreu sulmin, ndërsa hetimet mbeten të hapura për të sqaruar nëse 39-vjeçari shqiptar ishte shënjestër e një atentati të planifikuar dhe çfarë mund të ketë qëndruar pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
