Avionët luftarakë të NATO-s janë ngritur në ajër pas zbulimit të një objekti të dyshimtë që vinte nga Bjellorusia dhe po lëvizte në drejtim të vendeve baltike. Ngjarja shkaktoi alarm në Lituani dhe Letoni, ku autoritetet u kërkuan banorëve të disa zonave të kërkonin strehim për shkak të kërcënimit të mundshëm në hapësirën ajrore.
Sipas agjencisë Reuters, e cila citon Qendrën Kombëtare Lituaneze për Menaxhimin e Krizave, Lituania lëshoi një paralajmërim për sulm ajror të martën në mbrëmje.
Menjëherë pas këtij njoftimi, edhe autoritetet letoneze paralajmëruan banorët e rajonit Ludza, pranë kufirit me Bjellorusinë, që të kërkonin strehim.
Ndërkohë, ushtria letoneze njoftoi aktivizimin e dronëve interceptues dhe njësive të mbrojtjes ajrore për të përballuar kërcënimin e mundshëm. Alarmet u hoqën gjatë natës, në orën 00:35 sipas orës lokale.
Sipas raportimeve të Reuters, incidentet vijnë në një periudhë kur dronë ushtarakë kanë hyrë disa herë në hapësirën ajrore të vendeve baltike dhe Finlandës, duke shtuar shqetësimet për përhapjen e pasojave të luftës në Ukrainë drejt vendeve anëtare të NATO-s.
